MPJ e Finlandës dhe Fondacioni i Ahtisari: S’kemi folur për modalitetet e Asociacionit

  • A.P /
  • 05 April 2023 - 17:40
MPJ e Finlandës dhe Fondacioni i Ahtisari: S’kemi folur për modalitetet e Asociacionit

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Finlandës dhe Fondacioni për Paqe “Marti Ahtisaari” përmes një përgjigje të përbashkët  kanë theksuar se Finlanda si një vend anëtar i BE-së që është aktiv dhe i interesuar ka ofruar përkrahjen për dialogun që e ndërmjetëson Brukseli.

Megjithatë kanë sqaruar se në takime s’kanë diskutuar për temën e Asociacionit apo ndonjë modaliteti të tij.

“Ne nuk kemi diskutuar modalitetet e Asociacionit dhe nuk ka qenë pjesë e agjendës sonë”, kanë thënë dy institucionet respektive në një përgjigje.

Tutje kanë sqaruar se mbështetja e tyre fokusohet në ngritjen e vetëdijes dhe ndërtimin e kapaciteteve në mesin e atyre që marrin vendime në politikë për aspekte të ndryshme që kanë të bëjnë me procesin e normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Puna që bëjnë, thonë se është e pavarur nga dialogu që lehtëson BE-ja dhe që nuk synojnë që të marrin pjesë apo të ndërhyjnë në procesin politik të dialogut që ndërmjetësohet nga Miroslav Lajcak dhe Brukseli.

 “Aktivitetet e mbështetura nga Finlanda dhe të zbatuara në partneritet me CMI, janë të pavarura nga Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, por të koordinuara me Përfaqësuesin Special Miroslav Lajcak pasi synojnë të mbështesin mandatin e tij. CMI dhe Finlanda nuk synojnë të marrin pjesë apo të ndërhyjnë në procesin politik të Dialogut, i cili mbetet i lehtësuar nga BE dhe Përfaqësuesi Special i Be-së, Miroslav Lajçak”, thuhet në përgjigje dhënë Gazetës Express nga MPJ e Finlandës dhe CMI.

Liderët e partive opozitare në njoftimet e tyre që kanë publikuar rreth takimit, kanë treguar se me ambasadorin finlandez Matti Nissinen, zyrtaren e MPJ-së Jeeni Laakso dhe atë të CMI-së, Annina Peltonen, kishin biseduar për procesin e dialogut Kosovë-Serbi pas arritjes së marrëveshjes në Ohër, ku Kosova u pajtua që të themelojë Asociacionin.

Kosova dhe Serbia në Ohër janë pajtuar për Marrëveshjen Themelore dhe Aneksin e Implementimit. Në pikën 10 të marrëveshjes Themelore flitet për zotimin që ka dhënë Kosova për implementimin e marrëveshjeve të kaluara në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Ndërkohë, në analiza të ndryshme përveç Tirolit Jugor, si një model për autonominë e serbëve të Kosovës, po përmenden edhe Ishujt Aland – rajon autonom dhe i demilitarizuar i Finlandës nga viti 1920 me një vendim të Lidhjes së Kombeve i riafirmuar edhe me rastin e hyrjes së Finlandës në BE.

Shumica e banorëve në këta ishuj flasin suedisht, rreth 86 përqind, ndërsa më pak se 5 për qind flasin finlandisht.

Emisari sllovak Miroslav Lajcak më herët ka konfirmuar se BE-ja ka përzgjedhur plotë 16 modele të Asociacionit, megjithatë ende s’është bërë e ditur ajo listë e BE-së.


(Kosova Sot Online)