Salihaj: E kam refuzuar ftesën për të dëshmuar në Gjykatë Speciale

  • A.P /
  • 05 April 2023 - 22:51
Salihaj: E kam refuzuar ftesën për të dëshmuar në Gjykatë Speciale

E kam refuzuar ftesën për të dëshmuar në Gjykatën Speciale, ka theksuar ish-veprimtari politik dhe ish-zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Adem Salihaj, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ai ka thënë se nuk ka dashur ta dëmtojë Kosovën, duke spekuluar në këtë gjykatë.

“Nuk dua me shku në Gjykatë Speciale. Mua më kanë thirrë në gjykatë speciale, më kanë thirrë, a po do me ardhë me dëshmu. Kam thënë jo. Sepse rasti im është ndriçuar, janë dënu njerëzit në Kosovë”, ka thënë Salihaj

“Edhe unë nuk dua me ardhë me spekulu, më ka thënë ky më ka thënë ai”, ka vazhduar ai.

Salihaj ka thënë se ishte kundër Gjykatës Speciale, ndonëse si deputet e kishte votuar, por arsyeja sipas tij ishte që ajo do të themelohej përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Nuk dua ta shfrytëzoj Gjykatën Speciale për ta dëmtu Kosovën. Sepse në parim kam qenë kundër. Përkundër se kam mundur me qenë i vdekur nga këta njerëz sot, por kur është në pyetje interesi i Kosovës, unë nuk jam pajtu për ta formuar Specialen, por e kam votu si të gjithë të tjerët prej pamundësisë që ta ndalim këtë në Këshillin e Sigurimit”, ka deklaruar Salihaj. 


(Kosova Sot Online)