LDK: Kjo Qeveri ka shpikur vetmenaxhimin

  • A.P /
  • 06 April 2023 - 18:04
LDK: Kjo Qeveri ka shpikur vetmenaxhimin

Qeveria për qëllime politike po i paralizon komunat duke ua bllokuar të hyrat vetanake, ka deklaruar zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, transmeton gazeta “Kosova Sot  Online".

Halimi ka thënë se me këto veprime po ndëshkohen qytetarët.

“Me dhunë e urrejtje morën pushtetin e fatkeqësisht edhe në qeverisje vazhdojnë me të njëjtën mendësi. Nga kjo paarsyeshmëri politike çdo ditë e më shumë po ndëshkohen fatkeqësisht qytetarët. Një qeveri me performancë aq të dobët jo vetëm në investime kapitale, por edhe në menaxhim të përgjithshëm, ka vendosur që për qëllime politike t’i paralizojë komunat duke ua bllokuar të hyrat vetanake“, tha Halimi.

Ajo shtoi se Qeveria Kurti po sundon komunat, derisa për komunat në veri e ka shpikur vetmenaxhimin.

“Vetëm për komunat në veri të vendit, kjo Qeveri ka shpikur vetmenaxhimin. E komunat tjera i sundon!”, ka përfunduar ajo.

(Kosova Sot Online)