Pse Naser Pajazitaj u la i lirë pas 7 viteve burg?

  • A.P /
  • 07 April 2023 - 16:46
Pse Naser Pajazitaj u la i lirë pas 7 viteve burg?

Rasti i vrasjes së Donjeta Pajazitajt është kthyer në pikën zero. Naser Pajazitaj, i cili ishte i dyshuari kryesor për vrasje, është liruar dje nga akuza me vendim të Gjykatës Supreme.

“Ju njoftoj se Kolegji penal i Gjykatës Supreme në seancën e mbajtur me datë 06 prill 2023, e ka liruar N.P., nga akuza për vrasje. Pas përpilimit të aktgjykimit brenda afatit ligjor, i njëjti do të bëhet publik”, ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.

Vendimin e Supremes e ka quajtur të papranueshëm Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë fjalimit që mbajti në Kuvendin e Kosovës.

“Po i komentoj vendimet e gjykatës supreme sepse për mua është e papranueshme që një person i cili dënohet me burgim të përjetshëm, aq lehtësisht të lirohet nga akuza… Personi i dënuar nga shkalla e parë, pra me dënim të përjetshëm, Naser Pajazitaj dhe nga shkalla e dytë me 35 vite dënim, është liruar nga akuza nga Gjykata Supreme”, tha Ministrja.

“I pafajshëm”, “Fajtor”

Naser Pajazitaj është gjykuar tri herë për këtë rast. Në mars të vitit 2018,  Gjykata Themelore në Pejë e kishte liruar Pajazitajn nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, në mungesë të provave. Pas ankesës së Prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën në rigjykim.

Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2019, e kishte shpallur fajtor Pajazitajn dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ky dënim ishte vërtetuar pastaj edhe nga Gjykata e Apelit, në korrik të vitit 2019.

Në nëntor të vitit 2019, Gjykata Supreme i kishte prishur të dy aktgjykimet, atë e Gjykatës Themelore në Pejë dhe të Gjykatës së Apelit, dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë ishte përjashtuar nga ky rast. Lënda ishte deleguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, me arsyetimin për të mënjanuar dyshimet ndaj sistemit të drejtësisë. Vendimi ishte marrë nga Gjykata e Apelit.

Më 27 maj të vitit 2021, Gjykata Themelore e Ferizajt e kishte shpallur fajtor Pajazitajn dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Apeli e kishte kthyer sërish rastin në rigjykim.

Pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtjes, Apeli kishte marrë  vendim, me të cilin ia kishte ulur dënimin nga burgimi i përjetshëm, në 35 vjet burgim.

Gjykata Supreme e ka liruar dje të njëjtin nga akuza për vrasje.

Vëllai i Donjetës: Jemi lodh, korrupsioni mund të jetë arsyeja e lirimit

Për vendimin e Supremes, ka folur dje në “Frontal” vëllai i Donjetës, Shkelqimi.

Ai ka thënë se një vendim i tillë ka qenë i papritur dhe se e ka marrë lajmin nga mediat.

Shkelqim Pajazitaj ka thënë se në pamjet e kamerave shihet se Donjeta kishte hipur në makinën e Pajazitajt.

“Ka qenë vendim shumë i papritur. Unë në punë jam kanë, prej mediave e kam pa. Kam thanë a është e vërtetë. Unë nuk e di ku janë duke u bazu. Kamerat kanë qenë ku shihet Donjeta tu hypë në gjypin e të akuzuarit. Nuk e di drejtësia pse mos me i besu këto sene. Nuk po dimë as qysh me ja bo, jemi lodhë”, ka thënë Shkelqim Pajazitaj.

Ai ka thënë se korrupsioni mund të jetë arsyeja për lirimin e Naser Pajazitajt.

“Unë mendoj se veç korrupsioni mundet me kanë arsyeja. Qysh thash edhe ma herët, vetëm kamerat dhe dëshmia e qikës së tij. Na ka interesu arsyeja dhe bashkëpunëtorët. Ne nuk i dimë me emra, drejtësia mundet me e ditë atë “, ka thënë Shkëlqim Pajazitaj në Frontal.

Avokati i Naser Pajazitajt: Supremja e vërtetoi që u mbajë 7 vjet në burg pa faj

Për vendimin e Gjykatës Supremes, ka folur edhe avokati i Naser Pajazitajt, Ahmet Tahiri.

Sipas tij, Supremja e ka vërtetuar me vendimin e djeshëm që Pajazitaj është mbajtur në burg për shtatë vjet pa asnjë provë.

“Unë Shkëlqimin e kuptoj se e ka humbur motrën. Mirëpo detyra jonë është ta mbrojmë klientin tonë. Ky vendim i Supremes vërtetoi që Naser Pajazitaj është mbajtur në burg për shtatë vjet pa asnjë provë”, ka thënë ai në Frontal.

Sipas avokatit, raporti nga vendi i ngjarjes dhe kamerat për të cilat flet vëllai i Donjeta Pajazitajt kanë vërtetuar që Donjeta Pajazitaj nuk ka qenë në veturën e Naser Pajazitajt.

Ai thotë se pamjet janë dërguar për ekspertizë në Ankara dhe sipas tij është vërtetuar se s’mund të përshkruhej për aq pak sekonda rruga që tregojnë kamerat. Avokati thotë se për aq sekonda sa tregohet në video, Pajazitaj do të duhej të ishte duke e vozitur makinën 250 kilometra në orë.

“Raporti në vendin e ngjarjes dhe kamerat që referohet Shkelqimi dhe nuk është vërtetu që Donjeta ka qenë në veturën e Naserit. Sipas raportit të ekspertizës, kemi vërtetuar se s’mund të përshkruhej për aq pak sekonda rruga që shfaqet në video. Ekspertiza është dërguar në Ankara. Sipas ekspertizës ai do të duhej të voziste 250 km në orë”, ka thënë avokati.

Ai tutje ka treguar se në Strellc të ulët kanë qenë edhe pesë vetura të tilla të njëjta sikurse e Naser Pajazitajt.

Avokati Tahiri thotë se problemi në këtë rast është se Prokuroria është bazuar vetëm në një pistë.

“Vetëm në Strellc të ulët kanë qenë 5 vetura të njëjta. Edhe nja 15 tjera në Strellc. Ky është problemi që prokuroria është nisur vetëm në një pistë”, ka shtuar tutje avokati.

I pyetur për arsyetimin e lirimit, Tahiri ka thënë se ende s’e kanë marrë zyrtarisht por shton se s’ka si të jetë tjetër pëveçlirimit në mungesë të provave.

“Arsyetimin ende s’e kemi marrë, por në mungesë të provës është liruar s’mund të ketë tjetër arsye. Drejtësia funksionon me fakte dhe jo me hamendësime. Merrni çfarëdo ekspertë që doni dhe le ta gjejnë vetëm një provë të vetme, s’ka asnjë provë”, ka thënë Tahiri në “Frontal”.

Çfarë thuhej në aktakuzë?

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2017 nga prokurorja Valbona Disha– Haxhosaj, Naser Pajazitaj akuzohej se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan, e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë”, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë dhe atë revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj, nga po i njëjti fshat.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Pajazitaj e kishte bërë në atë mënyrë që derisa viktima ditën kritike ka qenë duke shkuar në punë në këmbë së bashku me axhën e saj dhe kur kanë arritur tek bunari i fshatit janë ndarë, ashtu që viktima ka vazhduar rrrugën në drejtim të Strellcit të Epërm dhe kur afrohet përafërsisht 150 metra afër shtëpisë së Nedi Jusaj, aty pari kalon i pandehuri Naser Pajazitaj me veturën e tij të tipit xhip sheroke me ngjyrë të kaltër i cili ndalet e merr viktimën me veturë, e më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe kur arrin tek “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë duke shtënë dy herë në kokë, e më pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunj dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse viktima më 27 dhjetor 2015 është gjetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit.

Sipas aktakuzës, Pajazitaj akuzohej se më parë e deri më 9 nëntor 2015, në fshatin Strellc, Komuna e Deçanit, pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një revole të tipit të panjohur dhe një pushkë gjuetie me numër serik 0193117 si dhe 12 fishekë të kësaj pushke, në atë mënyrë që më revole ditën kritike ka kryer veprën penale të cekur si më lartë.

Gjithashtu, sipas aktakuzës më parë dhe deri më 23 maj 2017, në fshatin Strellc i Ulët, Komuna e Deçanit, Pajazitaj pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një armë AK-47 dhe 2 karikatorë të zbrazët, ashtu që policia gjatë bastisjes dhe kontrollit në shtëpinë e të pandehurit në dhomën e fjetjes ka gjetur dhe sekuestruar armën e cekur si më lartë.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkonte të akuzuarin se ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 179 i KPRK–së dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 i KPRK-së.

(Kosova Sot Online)