Mehmeti jep detaje për miliardat që kosovarët i ruajnë nëpër banka

  • A.P /
  • 07 April 2023 - 21:22
Mehmeti jep detaje për miliardat që kosovarët i ruajnë nëpër banka

Kosovarët kanë besim të jashtëzakonshëm në sistemin bankar në vend, ka vlerësuar  ish guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Këtë pohim ai e mbështet në faktin se kosovarët ruajnë në banka hiç më pak se 5.5 miliardë euro dhe shumica absolute e tyre, sipas ish-kreut të BQK-së, u takon ekonomive familjare.

Në anën tjetër, asetet e bankave komerciale kapin vlerën e mbi 6.7 miliardë eurove, e kredi në banka kosovarët kanë 4.3 miliardë euro.

Depozitimi i kaq shumë mjeteve në banka komerciale sipas ish guvernatorin tregon se mundësit për investuar dhe rritur vlerën e parasë në vend janë të pakta, andaj qytetarët depozitimin e mjeteve të tyre në banka e shohin si mundësi të vetme  investive.

“Duke qenë se norma e depozitave në banka është 2.4% qytetarët e shohin më të leverdishme me i investu për ta marr këtë interes sepse nuk ka alternativa tjera ku të investohen për të marr përqindje më lartë. Nuk kisha me thënë që qytetarët janë shumë të pasur, por që nuk kanë alternativa për të investuar. Në qoftse kosovarët do të kishin alternativa tjera për investuar do të ishin edhe më të pasur dhe që ekonomia e vendit do të ishte shumë më e zhvilluar”, ka shtuar ish guvernatori Mehmeti.

Sipas ish guvernatorit, qytetarët e vendit kanë më shumë nevojë për edukim financiar në mënyrë që mjetet e tyre mos rrinë vetëm si depozita, por që ato të përdoren për investime, rritje të pasurisë së tyre e krijimin e vendeve të reja të punës në vend.


(Kosova Sot Online)