Koha që Beketi të marrë 110 milionë euro, Ramës i mbarojnë gënjeshtrat

  • E.K /
  • 08 April 2023 - 12:30
Koha që Beketi të marrë 110 milionë euro, Ramës i mbarojnë gënjeshtrat

Që kur doli lajmi se Gjykata e Arbitrazhit i dha Françesko Beketit 110 milionë euro, kryeministrit Rama i lindi nevoja për një alibi të re, një përgjigje që e devijon debatin nga përgjegjësia për gjobën marramendëse që do të paguajnë shqiptarët për kapriçot e personalitetit të tij.

Paralajmërimeve se dëbimi i biznesmenit dhe mbyllja e “Agon Channel” do t’i kushtonte shtrenjtë Shqipërisë, Rama iu përgjigj gjithnjë me një siguri moskokëçarëse se italiani “nuk do të marrë asnjë lek”.

E njëjta formulë përsëritej për sa kohë procesi ishte në vazhdim në gjykatë, madje edhe pasi u dha vendimi i parë në prill të vitit 2019. Edhe këto ditë, që një pjesë e parave praktikisht janë të bllokuara, Rama mendoi se mund të vazhdonte ta trajtonte njësoj lajmin si pjesë e emocioneve të fushatës elektorale. “Shokët e tij këtu humbin zgjedhjet dhe kur vjen fushata tjetër del që s’i ka marrë atëherë po i mori tani! Prapë kështu do ndodhë me shokët e mashtros! Deri fushatën tjetër!” ishte mesazhi që kryeministri publikoi kreu i qeverisë në Twitter.

Por pas mbledhjes së qeverisë këtë të premte, Rama ka ndryshuar qëndrim. Nuk tha më se biznesmeni nuk do të marrë asnjë lek, por se do të dalë fare nga juridiksioni i Gjykatës së Arbitrazhit ICSID.

“Po analizojmë dhe mundësinë të daljes fare nga ai juridiksion sepse është skandaloze ajo që ka ndodhur”, u shpreh Rama duke e zhvendosur përballjen nga Shqipëria kundër Beketit, tek Shqipëria kundër gjykatës.

Ideja e tërheqjes nga juridiksioni i Gjykatës së Arbitrazhit ICSID pas humbjes me Beketin e bën qesharak diskutimin. Nëse kishte dyshime, shteti i Ramës nuk duhej të ishte bërë pjesë e procesit që në fillim, jo tani që humbi gjyqin.

Në 29 mars procesi “Beketi” u mbyll një herë e mirë. Tani italianit i kalojnë paratë në llogarinë bankare. Jo pak, por 110 milionë euro.

Deklarata në fakt u hodh si shashkë për të shmangur diskutimin mbi përgjegjësinë e Ramës në humbjen e një shume kaq të madhe parash.

Rama nuk thotë dot më “nuk do paguajmë asnjë lek”. Vendimi i gjykatës e bën atë përgjegjësin kryesor të humbjes së parave nga xhepat e shqiptarëve. Në pamundësi për të gënjyer prapë, ka menduar t’i ikë përgjegjësisë përmes zhurmueseve të kota, siç mund të jetë idea e largimit nga juridiksioni i gjykatës së Bankës Botërore./LAPSI

(Kosova Sot Online)