Policia jep detaje: 5 të vrarë nga të shtënat në qendër të qytetit

  • A.P /
  • 10 April 2023 - 19:50
Policia jep detaje: 5 të vrarë nga të shtënat në qendër të qytetit

Të pesë persona humbën jetën si dhe tetë të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi me armë zjarri në një bankë në qëndër të qytetit Louisville, të shtetit Kentaki. Sipas policisë në mesin e viktimave është dhe autori i sulmit.

Zëvendës shefi i Departamentit të Policisë së qytetit tha se policia mbërriti në vendngjarje vetëm pak minuta pasi u raportuan të shtënat brenda Bankës Kombëtare.

Ai tha se pasi efektivët mbërritën ata shkëmbyen zjarr me autorin, ndërsa ende nuk është e qartë, nëse autori vrau veten, apo u qëllua nga oficerët.

“Ne besojmë se ishte vetëm një person i armatosur i përfshirë në këtë ngjarje që dyshojmë se ka lidhje me bankën. Ne po përpiqemi të përcaktojmë se çfarë lidhje kishte ai me këtë bankë, lidhje biznesi, apo ka qenë një ish punonjës”, tha zyrtari i policisë Paul Humphrey.

Sipas tij 8 të plagosurit po trajtohen në një spital për plagët që kanë marrë, duke përfshirë dy oficerë policie, njëri prej të cilëve ishte në gjendje kritike.

“Ishte përgjigja heroike e oficerëve që u siguruan që të mos plagoseshin më shumë njerëz sesa ajo që ndodhi”, tha më tej zyrtari i policisë.

Guvernatori i shtetit të Kentakit, Andy Beshear tha se ai kishte humbur në këtë ngjarje një nga miqtë e tij.

Gjatë 100 ditëve të para të këtij viti kanë ndodhur 15 sulme masive me armë zjarri. Një numër kaq i lartë nuk është regjistruar që nga viti 2009, kur sipas të dhënave nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe gazeta USA Today në bashkëpunim me universitetin “Northeastern University” ishin regjitruar 16 incidente deri më 10 prill.

(Kosova Sot Online)