Hovenier: SHBA-ja e shqetësuar për incidentin ku një serb i Kosovës u plagos

  • A.P /
  • 11 April 2023 - 18:20
Hovenier: SHBA-ja e shqetësuar për incidentin ku një serb i Kosovës u plagos

I shqetësuar me plagosjen e një serbi në Zveçan, të hënën, është shprehur Jeff Hovenier, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Policia e Kosovës përmes një njoftimi të hënën kishte mohuar që zyrtarët e saj të jenë të përfshirë në këtë incident – të gjuajtjes me armë.

Por pasi nuk rezultoi informacion i saktë, Policia e Kosovës ka suspenduar katër zyrtarë.

Por për këtë, Policia mori kritikanga ambasadori amerikan në Kosovë, i cili përmes një postimi në Twitter kërkoi nga institucionet hetim transparent për këtë rast.

“SHBA-ja është e shqetësuar për incidentin ku një serb i Kosovës u qëllua në Zveçan mbrëmë. Zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet përkatëse duhet të bëjnë një hetim të plotë, e kredibil. Ne jemi shumë të shqetësuar nga mohimi fillestar që u bë pa kujdes. Të gjithë qytetarët duhet të kenë besim në transparencën e forcave të zbatimit të ligjit dhe sektorin e drejtësisë”.

“Mbështetja e SHBA-së për institucionet e Kosovës të sundimit të ligjit avancon një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multietnik. Ata që janë përgjegjës për veprime kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka shkruar ambasadori amerikan.

Në veriun e Kosovës gjatë vitit të fundit ka pasur shpesh tensione, për të cilat duheshin më pas zgjidhje politike. 

(Kosova Sot Online)