Dhuna ndaj vajzave të reja në Tiranë/ Berisha: Rendin e ka në dorë mafia, qeveria fsheh krimet!

  • E.K /
  • 17 April 2023 - 14:30
Dhuna ndaj vajzave të reja në Tiranë/ Berisha: Rendin e ka në dorë mafia, qeveria fsheh krimet!

Kryetari demokrat, Sali Berisha doli në një konferencë për shtyp për të denoncuar situatën e rendit në vend.

Nisur nga pengmarrja ndaj një vajze të re në Tiranë, por duke cituar edhe rastin e kenianes së vrarë barbarisht, Berisha tha se jeta në Tiranë po bëhet gjithnjë e më e pasigurt.

Sipas tij, rendin në vend e ka krimi dhe mafia.

“Një vajzë, 26-vjeçare, u burgos e marrë peng në shtëpi nga i ashtuquajturi partner. Duke kryer ndaj saj një terror fizik dhe psikologjik tipik për strofullat e mafies në protektoratin e mafies.

Jeta në Tiranë bëhet gjithnjë e më e pasigurtë. Rendin në dorë e ka krimi dhe mafia.

U ndala në këtë rast dramatik, sepse muaj më parë, një vajzë nga Kenia, 19-vjeçare, që punonte në një kazino, u masakrua. Klithmat e saj ranë në vesh të shurdhër. Vrasësi është i sojit të qeverisë. Vetëm qeveria arrin të heshtë, të shkatërrojë, të rrënojë të gjitha provat për të mbrojtur ministrat e saj kriminelë që fshehin krimin.

Tirana është pra sot, qytet ku dominon ligji i mafias, ku dominon mafia.

Mafia e Tiranës, duke pasur parasysh se ka pushtetin, është mafia më e rrezikshme e Evropës. Ajo tejkalon Ndraghetën, Sakra Korona Unitën, tejkalon të gjitha grupet mafioze, sepse kreu i saj është qeveria mafioze shqiptare.

Dënoj me forcën më të madhe aktin e shëmtuar ndaj 26-vjeçares, indiferencën e treguar nga organet e rendit dhe në tërësi dorëzimin e sigurisë dhe rendit të qytetarëve në duart e organizatave kriminale nga një qeveri e lidhur kokë e këmbë me to,” tha Berisha.

(Kosova Sot Online)