Osmani: Serbia vepron kundër shtetësisë dhe integrimit të Republikës së Kosovës

  • A.P /
  • 18 April 2023 - 20:35
Osmani:  Serbia vepron kundër shtetësisë dhe integrimit të Republikës së Kosovës

Qëllimi i Kosovës është zgjerimi i spektrit të partneriteteve të reja dhe integrimit në struktura euroatlantike, respektivisht në BE e NATO, ka deklaruar presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë konferencës rajonale “15 vjet të mbikëqyrjes së sektorit publik të sigurisë”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

 Osmani, gjatë konferencës rajonale “15 vjet të mbikëqyrjes së sektorit publikt të sigurisë”, tha Serbia ka për qëllim minimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë.

Osmani tha se Serbia si satelit i Rusisë në Ballkanin Perënidmor, vazhdon të mbetet kërcënimi më serioz dhe kryesor ndaj Kosovës.

“Serbia vazhdon të përdorë në mënyrë të sinkronizuar të gjitha elementet e saja përmes metodave hibride kundër Republikës së Kosovës. Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, ajo vepron kundër shtetësisë dhe integrimit të Republikës së Kosovës në institucionet ndërkombëtare”, është shprehur Osmani.

E para e shtetit, tutje tha se përbrenda territorit të Kosovës, Serbia instrumentalizon struktura kriminale në veri, duke i paguar dhe shtytur ato sipas saj, për të kryer krime dhe njëkohësisht tha se e pengon edhe integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës.

“Në të njëjtën kohë, Serbia vazhdon të paraqesë rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e gjithë rajonit, duke shtuar edhe kapacitetet ushtarake, si në pozicionimin e tyre përgjatë kufirit me Kosovën, po ashtu edhe në raport me shtetet e tjera në rajon”, tha Osmani.

(Kosova Sot Online)