Ambasadorja e SHBA-së në OKB thotë se do ta mbështesin Kosovën dhe Serbinë për raport paqësor

  • E.K /
  • 26 April 2023 - 08:06
Ambasadorja e SHBA-së në OKB thotë se do ta mbështesin Kosovën dhe Serbinë për raport paqësor

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, vlerësoi marrëveshjen “historike, ligjërisht të detyrueshme të normalizimit” mes Kosovës dhe Serbisë dhe bëri thirrje për “zbatimin e shpejtë të saj”, përcjell “Kosova Sot Online”.

Sipas një njoftimi të zëdhënësit të Misionit të SHBA-së në OKB, Nate Evans, ambasadorja Thomas-Greenfeld i bëri komentet në një takim në Nju Jork me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schëarz.

Thomas-Greenfield ka thënë se SHBA do të mbështesë Kosovën dhe Serbinë që të kenë një raport paqësor.

“Ambasadorja Thomas-Greenfield përsëriti se Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara në mënyrë aktive për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë në zbatimin e angazhimeve të tyre në drejtim të një marrëdhënieje të qëndrueshme dhe paqësore”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit.

(Kosova Sot Online)