
Ja pse Serbia fajëson Perëndimin për zgjedhjet në Veri

Për zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, fajësoi vendet perëndimore, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Në kritika iu bashkuan edhe kryeministrja Ana Bërnabiq dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Ata akuzuan Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se, pavarësisht kundërshtimeve të komunitetit serb, i mbështetën zgjedhjet, sipas tyre, antidemokratike dhe jolegjitime.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale u mbajtën më 23 prill në katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, nuk mori pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje serbëve që ta bojkotojnë procesin.
Arsyetimi ishte se nuk janë plotësuar kushtet e saj për kthimin në institucionet e Kosovës, nga të cilat u tërhoq në vjeshtën e vitit 2022: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqja e njësive speciale të Kosovës nga komunat në veri.
Si rezultat i këtij bojkoti, pjesëmarrja në zgjedhje ishte nën 4%.
Perëndimi tha se zgjedhjet u mbajtën në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës dhe shprehu keqardhje që në to nuk morën pjesë të gjitha partitë dhe komunitetet.
(Kosova Sot Online)