Ish-prokurori Blakaj: I konfiskova dokumente nga ZKM-ja pa pasur nevojë për show mediatik, ndërsa shefi im ka bërë raportim në ZKM

  • E.K /
  • 02 May 2023 - 08:19
Ish-prokurori Blakaj: I konfiskova dokumente nga ZKM-ja pa pasur nevojë për show mediatik, ndërsa shefi im ka bërë raportim në ZKM

Ish-prokurori Elez Blakaj është shfaqur përsëri në skenë. Ai ka reaguar ndaj deklaratave të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Blakaj ka deklaruar se ato çfarë thotë Haradinaj nuk janë të vërteta.

‘’Të nderuar qytetarë, paramendoni çfarë paradoksi; përderisa unë si prokuror kam konfiskuar materiale në zyrën e Kryeminstrit dhe pa pasur nevojë për spektakël dhe show mediatik, ndërsa shefi im, maksimumi çfarë ka mundur të bëjë ka qenë raportimi në zyrën e Kryeministrit, por edhe tek të tjerët sipas nevojës…!’’, ka shkruar Blakaj.

Më tutje Blakaj është shprehur se ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradianj ka deklaruar diçka që nuk qëndron sipas ish-prokurorit.

“Keni deklaruar se ia keni dhënë të gjitha materialet prokurorit. As kjo nuk qëndron! Po të ishte ashtu, pse prokurori i rastit i konfiskoj ato materiale pëmes urdhëresës! Kjo ka ndodhur menjëherë pasi ju i keni kthyer përgjigjen me shkrim prokurorit me atë letrën e famshme, të cilën më vonë ju vet e keni bërë publike, jo unë!”, i ka thënë Bakaj në rrjetin e tij social Facebook.

Më poshtë mund ta lexoni statusin e plotë të ish-prokurori Elez Blakaj në rrjetin e tij social Facebook.

Ish-kryeministri flet përsëri për ish-prokurorin, jo për çështje private por për çështje zyrtare të një procesi ende të hapur!

Po ashtu, përmend disa gjëra të cilat nuk qëndrojnë, thotë:

Prokurori ka kërkuar takim zyrtar, jo, kjo nuk qëndron! Prokurori ka komunikuar vetëm me shkresa sipas rregullave të Kodit të Procedurës Penale. Keni qenë JU që keni kërkuar takim me prokurorin, pasi që prokurori kishte takim vetëm me përfaqësuesit e zyrës për Çështje të Veteranëve të UÇK-së, e pastaj ai takim ka ndodhur aty për aty nën tension dhe me diktim “të bashkëpunimit” sipas kushteve tuaja. Ndërsa si përgjigje, prokurori ju ka paralajmëruar se nëse nuk bashkëpunon, materialet do të konfiskohen! Të pranishëm aty kanë qenë edhe disa dëshmitarë!

Keni deklaruar se ia keni dhënë të gjitha materialet prokurorit. As kjo nuk qëndron! Po të ishte ashtu, pse prokurori i rastit i konfiskoj ato materiale përmes urdhëresës! Kjo ka ndodhur menjëherë pasi ju i keni kthyer përgjigjen me shkrim prokurorit me atë letrën e famshme, të cilën më vonë ju vet e keni bërë publike, jo unë!

E keni përmendur edhe çështjen e sigurisë nacionale duke e ndërlidhur me këto materiale! Si Kryeministër në atë kohë, duhet të siguroheshit që persona të pandërgjegjshëm brenda sistemit nuk do ti publikonin emrat dhe mbiemrat dhe të dhënat personale të mijëra aplikanteve për statusin e veteranit të UÇK-së, ndërsa për kohën sa kam qenë unë, asnjë informatë e vetme nuk ka dal nga PSRK-ja. Ju i keni pasur nën kontroll të gjithë mekanizmat në atë kohë, madje edhe AKI-n që ju ka raportuar çdo ditë…! Të vetmit emra dhe mbiemra të cilët prokurori i ka përmendur deri në atë fazë të procedurës kanë qenë tani të akuzuarit dhe kjo lehtësisht mund të dëshmohet; të gjitha të tjerat, duke filluar nga hartimi i emrave e deri tek publikimi i tyre, janë produkt dhe koordinim i personave që ju i njihni mirë, e që fatkeqësisht janë edhe nga sistemi i drejtësisë!

Të nderuar qytetarë, paramendoni çfarë paradoksi; përderisa unë si prokuror kam konfiskuar materiale në zyrën e Kryeministrit dhe pa pasur nevojë për spektakël dhe show mediatik, ndërsa shefi im, maksimumi çfarë ka mundur të bëjë ka qenë raportimi në zyrën e Kryeministrit, por edhe tek të tjerët sipas nevojës…!

Miq, nuk ndërtohet perspektivë e re me qasje të vjetër, e aq me tepër kur inati dhe hakmarrja vazhdojnë të jenë kryefjalë e punës sonë! Nëse dëshirojmë perspektivë më të mirë për vendin tonë, duhet të ndryshojmë për hir të gjeneratave të reja!

(Kosova Sot Online)