Kurti: Nga 11 nene të marrëveshjes bazë 8 prej tyre i ka shkelur Beogradi zyrtar

  • A.P /
  • 02 May 2023 - 23:00
Kurti: Nga 11 nene të marrëveshjes bazë 8 prej tyre i ka shkelur Beogradi zyrtar

Kryeministri Albin Kurti është paraqitur në një konferencë për mediat, pas përfundimit të takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, ku u arrit dakordim për Deklaratën për Personat e Zhdukur, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kurti ka konfirmuar gjithashtu se draft-statuti i parë i Asociacionit, i përgatitur nga ekipi serb, është refuzuar nga Kosova, pasi që sipas tij, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Koosvës.

Gjithashtu, Kurti ka bërë të ditur se e ka “denoncuar” Serbinë për shkeljen e përsëritur të marrëveshjes baz të dakorduar në Bruksel dhe të aneksit të saj, të dakorduar në Ohër.

“Dorëzova edhe një dokument mbi atë se si nga 27 shkurti kur jemi pajtuar mbi marrëveshjen bazë, Beogradi zyrtar e ka shkelur atë. Në atë dokument shihet qartë, në mënyrë faktike, të dokumentuar, se nga 11 nene të marrëveshjes bazë 8 prej tyre i ka shkelur Beogradi zyrtar”, ka thënë Kurti nga Brukseli.

“Pra, vetëm në muajin mars e prill, janë shkelur 8 nga 11 nenet”, ka shtuar ai.

Kurti ka thënë se ka dërguar përmes një dokumenti edhe deklaratat e Vuçiqit para Borrell e Lajçak, të cilat shkelin marrëëvshjet e arritura.

“Gjithashtu kam dorëzuar edhe një dokument, janë tri deklarata të Presidentit të Serbisë se si ai nuk është pajtuar me Marrëveshjen bazë, se si nuk do ta zbatojë në tërësi, prandaj unë kisha nevojë për një garancion se kemi soliditet të procesit, meqenëse kemi marrëveshje dhe kemi siguri ne si palë meqenëse kemi marrëveshje”, ka thënë Kurti

“M’u tha qartë nga ndërmjetësit Borrell e Lajçak se kemi marrëveshje. Dhe 27 shkurti në Bruksel e 18 marsi në Ohër përnjëmend kanë ndodhur”, ka shtuar ai. 

(Kosova Sot Online)