Lista Serbe reagon pas vendimit të Kurtit për shpronësime

  • A.P /
  • 10 May 2023 - 17:35
Lista Serbe reagon pas vendimit të Kurtit për shpronësime

Për realizimin e projekteve infrastrukturore për interes publik, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin preliminar për shpronësime të pronave të paluajtshme në Komunën e Leposaviqit dhe atë të Zubin Potokut, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ndaj këtij vendimi, ka reaguar Lista Serbe, duke thënë se Qeveria Kurti “po vazhdon të zbatojë planet e veta për dëbimin e serbëve nga vatrat shekullore”.

“Regjimi i Kurtit, i inkurajuar nga disa pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, vazhdon të zbatojë planet e veta për dëbimin e serbëve nga vatrat shekullore”, thuhet në reagim.

Lista Serbe u ka bërë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që të reagojnë për këtë vendim.

“Populli serb nuk do të lejojë që banditi Kurti t’i vjedhë trashëgiminë e tyre ashtu dhe do të luftojë me të gjitha mjetet demokratike, ligjore dhe legjitime kundër këtij vendimi anti-serb, që vjedh hektarë tokë serbe”, thuhet në reagim.

(Kosova Sot Online)