Power takon disa të rinj nga Kosova, Bosnja e Serbia: Frymëzues përkushtimi i tyre

  • A.P /
  • 11 May 2023 - 17:54
Power takon disa të rinj nga Kosova, Bosnja e Serbia: Frymëzues përkushtimi i tyre

Me disa të rinj nga Kosova, Bosnja e Serbia, është takuar shefja e USAID, Samantha Power, e cila po qëndron në Serbi për vizitë zyrtare, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Këta të rinj nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova janë pjesë e një grupi prej 60 liderësh që takohen personalisht çdo muaj me mbështetjen e USAID për të krijuar lidhje dhe për të pasur diskutime të sinqerta. Ndjeshmëria, çiltërsia dhe përkushtimi i tyre për të krijuar paqe të qëndrueshme është frymëzuese”, ka shkruar ajo.

Zyrtarja e lartë amerikane pas vizitave në Beograd sot vjen në Kosovë. Nesër ajo do të takohet me kryeministrin Kurti nga ora 15:00, derisa pritet të shtrojë “çështje të vështira” në këtë takim.

Në një konferencë për media pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ajo përmendi Asociacionin e komunave me shumicë serbe si çështje që tha se SHBA-ja e thekson “në çdo rast”.

Të martën dhe të mërkurën ajo vizitoi Beogradin, duke u bërë udhëheqësja e parë e USAID-it që udhëton në Serbi. Nga atje, Power paralajmëroi se “patjetër do të ngre çështjet dhe sfidat e vështira përpara”, ashtu siç bëri në takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Power është zyrtarja e parë e lartë e qeverisë amerikane që vjen në Kosovë dhe Serbi pas takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq më 2 maj në Bruksel.

(Kosova Sot Online)