BIA: Kosova dyshon se Serbia po riinstalon policinë në veri

  • A.P /
  • 12 May 2023 - 17:19
BIA: Kosova dyshon se Serbia po riinstalon policinë në veri

Të dhënat e një institucioni të sigurisë në Kosovë tregojnë se Serbia është duke i rihapur zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të saj në veri të Kosovës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas të dhënave të siguruara, në katër komuna të veriut të Kosovës, me shumicë serbe, që nga 11 maji i këtij viti janë vendosur zyrat e MPB-së së Serbisë, të cilat kanë qenë funksionale deri në vitin 2013.

Sipas të njëjtave të dhëna, selia kryesore e MPB-së do të jetë në Zveçan, afër shkollës fillore “Vuk Karaxhiq”.

 

Serbia kishte strukturat e saj të sigurisë në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq deri në vitin 2013. Pas marrëveshjes së arritur në dialogun e Brukselit, ato u integruan në institucionet e Kosovës, kryesisht në Policinë e Kosovës, sipas rel.

Mirëpo, pothuajse të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga komuniteti serb dhanë dorëheqje në fund të vitit të kaluar, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave që qarkullojnë në veri me tabela që i lëshon Serbia.

Serbia e mbështeti këtë veprim dhe në këmbim u dha të gjithëve kontrata me paga të njëjta siç i kishin marrë nga institucionet e Kosovës.

Në ato kontrata, ndër të tjera, shkruhet se duhet të punojnë për të mirën e komunitetit serb.

“Është bërë mjaft”, ishin fjalët e shefit të atëhershëm të operacioneve në Policinë e Kosovës për rajonin verior, Aleksandar Filipoviq, i cili hoqi i pari uniformën.

Për një akt të tillë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka dekoruar Filipoviqin me Medaljen e Artë për Guxim – Millosh Obiliq.

Vizita sekrete e Filipoviqit në policinë serbe

Sipas të dhënave të një institucioni të sigurisë të Kosovës në të cilat REL-i pati qasje, Filipoviq ka qenë në një takim të mërkurën, më 10 maj, në ambientet e Agjencisë së Informacionit (BIA) në Beograd.

Pas kësaj, me urdhër të Filipoviqit, një ish-zyrtar tjetër në Policinë e Kosovës, Goran Zhivkoviq, i njoftoi të gjithë ish-komandantët e stacioneve policore në komunat në veri se do të hapen dy zyra të MPB-së së Serbisë në Mitrovicën e Veriut.

Zhivkoviq është i njohur për publikun si komandant i stacionit policor në veri të Mitrovicës, ndërsa në maj të vitit 2022 ai e informoi opinionin se rreth 60 persona ishin në listën e të dyshuarve “për përmbysje të rendit kushtetues të Kosovës”.

Ndryshe, njëra zyrë në Mitrovicën e Veriut do të duhej të funksiononte në objektet e përdorura më parë nga MPB-ja e Serbisë, ndërsa tjetra në objektin e Autoritetit të Përkohshëm Komunal, i cili punon nën sistemin serb.

(Kosova Sot Online)