Senatori amerikan Bob Menendez: Zgjidhja mes Kosovës dhe Serbisë të jetë e drejtë për të dyja palët, i shqetësuar për Asociacionin

  • S.A /
  • 20 May 2023 - 08:22
Senatori amerikan Bob Menendez: Zgjidhja mes Kosovës dhe Serbisë të jetë e drejtë për të dyja palët, i shqetësuar për Asociacionin

Kryetari i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Senat, Bob Menendez, thotë se thelbi i qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor është një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë.

Por, ai thotë se kjo marrëveshje duhet të jetë e drejtë për të dyja palët.

“Duket qartë se kemi shumë punë për të bërë. Ne jemi të shqetësuar. Kjo është një pjesë e rëndësishme e botës dhe Evropës. Historia na tregon se atje konfliktet mund të ndizen me shpejtësi. Është e rëndësishme të bëjmë atë që duhet dhe të sigurohemi që të mos ushtrojmë padrejtësisht trysni ndaj vendeve si Kosova, për shkak të dëshirës tonë për të parë një zgjidhje përfundimtare. Duhet të jetë një zgjidhje e drejtë”, thotë Senatori.

Duke iu referuar ndikimit në Bosnje dhe Hercegovinë të së ashtuquajturës “Republika Serbe”, Menendez kritikoi trysninë e shtuar ndaj Kosovës për krjimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, megjithë shqetësimin që ai mund të bjerë ndesh me Kushtetutën e vendit.

“Jam i shqetësuar për disa nga propozimet, siç është asociacioni i komunave serbe dhe gjasat që kjo mund të sjellë paqëndrueshmëri, në vend të qëndrueshmërisë. E kemi parë në të kalurën në vende të tjera. Nëse ato nuk strukturohen siç duhet, mund të krijojnë paqëndrueshmëri”, thotë Menendez për Zërin e Amerikës.

Ai i bëri këto komente pas seancës dëgjimore për Ballkanin Perëndimor të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin amerikan.

(Kosova Sot Online )