Kurti: Siguria e kontinentit evropian është interes jetik i yni

  • A.P /
  • 21 May 2023 - 12:45
Kurti: Siguria e kontinentit evropian është interes jetik i yni

Gjatë ceremonisë së hapjes së “Defender Europe 2023”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se FSK radhitet e katërta në këtë ushtrim në mesin e 25 ushtrive pjesëmarrëse sa i përket numrit të personelit të angazhuar në këtë ushtrim, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Kjo dëshmon për vullnetin që kemi për të zhvilluar sistemin tonë të mbrojtjes por edhe për përkushtimin e palëkundur për të qenë pjesë e sistemit të përbashkët të mbrojtjes së vendeve që përqafojnë e përfaqësojnë vlerat demokratike”, tha ai.

“Siguria kontinentit evropian është interes jetik i yni, si shtet që beson në atë që e don, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, paqen dhe demokracinë. Defender Europe 21 ishte më pak se një vit para se Rusia të shpërfaqë në mënyrën më agresive e brutale synimet e kahmotshme për t’u shtrirë dhunshëm në thellësi të Evropës. Defender Europe 23 po zhvillohet në një realitet të tensionuar 15 muaj pas invazionit rus në Ukrainë dhe që si i tillë ka të bëjë drejtpërdrejt jo vetëm me të ardhmën e Evropës, por mbarë botës. Prandaj përgatitja për t’u përballur me kërcënimet e njohura si dhe ato të paparashikueshme është e domosdoshme. Ashtu sic është e domosdoshme rritja e ndërveprimit dhe ngritja e gatishmërisë luftarake, e që janë objektivat kryesore të ushtrimit “Mbrojtësi i Evropës 2023”, deklaroi Kurti.

“Edhe ky togfjalëshi ‘Stronger together’ është veçse variacion dhe jehonë e thënies së famshme të kryeheroit tonë Skënderbeut ‘Bashkimi bën fuqinë’”, tha kryeministri.

(Kosova Sot Online)