Vuçeviq: Situata në Veri mund të shpërthejë në çdo moment

  • A.P /
  • 28 May 2023 - 11:50
Vuçeviq: Situata në Veri mund të shpërthejë në çdo moment

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq ka thënë se po pret një veprim “më vendimtar” nga KFOR-i pas ngjarjeve të së premtës në veri të Kosovës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Situata në Kosovë sot në mëngjes është e qetë, në dukje e qetë”, tha ai, “sepse mund të shpërthejë në çdo moment, pasi tensioni është në maksimum”.

“Është e rëndësishme nëse serbët arrijnë të shprehin në mënyrë paqësore kundërshtimin e tyre ndaj asaj që po ndodh me ta, veçanërisht në katër komunat në veri, pa përshkallëzim të mëtejshëm. Kurti po punon për pastrimin etnik të Kosovës nga serbët dhe kjo është agjenda e tij kryesore, është një formë presioni ndaj serbëve në Kosovë, të cilëve u thuhet se nuk mund të qëndrojnë në veri”, tha Vuçeviq në TV Prva.

Sipas tij, qëllimi është “që Serbia të futet në konflikt, ku do të paraqitet si agresore”.

Duke iu referuar deklaratës së ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq se ushtria serbe nuk po përgatitet të ndërhyjë në Kosovë, por të jetë e gatshme “për të gjithë skenarët”, Vuçeviq tha se Serbia “nuk do ta lejojë askënd t’i kalojë vijat e kuqe”.

Në lidhje me Listën Serbe e cila kërkoi që të ndërpritet dialogu Kosovë-Serbi derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti t’i tërheqë forcat speciale dhe kryetarët e komunave, Vuçeviq tha se e kupton qëndrimin e tyre.

“Sa i përket shtetit të Serbisë, do të diskutohet se cili do të jetë qëndrimi ynë i mëtutjeshëm në procesin e negociatave, por që nuk duhet të hyjmë në izolim apo periudhë të autizmit politik”, tha ai.

(Kosova Sot Online)