Stano:BE e gatshme të organizojë takimin Kurti -Vuçiq, kur të ketë kushte dhe kur të dy ata të pajtohen

  • E.K /
  • 05 June 2023 - 13:45
Stano:BE e gatshme të organizojë takimin Kurti -Vuçiq, kur të ketë kushte dhe kur të dy ata të pajtohen

Bashkimi Evropian ka thënë se është i gatshëm të organizojë takim të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, por, sipas bllokut, për diçka të tillë duhet krijuar kushtet, përcjell “Kosova Sot Online”.

Kështu ka deklaruar të hënën zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke komentuar takimin e mundshëm Kurti – Vuçiq.

Stano ka thënë se e rëndësishme është që të ulen tensionet në terren dhe të ndërmerren hapa konkretë.

“Natyrisht, ne jemi gjithmonë të gatshëm të jemi mikpritës të takimit në nivel të lartë, në kuadër të dialogut mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, kur të ketë kushte, dhe kur të dy ata të pajtohen për diçka të tillë. Por, në këtë fazë, gjëja më e rëndësishme është që të ulen tensionet në terren dhe të ndërmerren hapa konkretë. Dhe pikërisht për këtë, ne e kemi të dërguarin e posaçëm të BE-së [Mirosllav] Lajçak. Ai pasi të jetë në Prishtinë dhe Beograd, do të raportojë te Përfaqësuesi i Lartë, [Josep] Borrell, e Përfaqësuesi i Lartë do t’i njoftojë vendet anëtare, për të vendosur për hapat e mëtejmë” ka thënë Stano.

(Kosova Sot Online)