Ky person e sajoi vdekjen për t’i dhënë familjes një mësim, shfaqet në funeral me helikopter

  • S.A /
  • 14 June 2023 - 12:52
Ky person e sajoi vdekjen për t’i dhënë familjes një mësim, shfaqet në funeral me helikopter

Me dëshirën për të përçuar një mesazh të fortë te familja e tij, për t’i ruajtur lidhjet dhe afrimitetin mes tyre, një burrë në Belgjikë ka sajuar vdekjen e tij dhe më pas është shfaqur në funeralin e supozuar për të, me një helikopter. Marifeti dramatik për të ‘shkundur’ familjen e tij, ka për protagonist Tik Tok-erin David Baerten, transmeton "Kosova Sot Online".

Planin e tij 45-vjeçari nuk e realizoi i vetëm, por me bashkëpunimin e bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët e ndihmuan atë duke e dramatizuar ngjarjen me postime për “vdekjen” e të atit në mediat sociale.

Një nga vajzat e tij mashtroi ndjekësit e Baerten në atë që shumë në internet e kanë cilësuar si një shaka mizore.

Ajo shkroi në rrjetet sociale: “U prehsh në paqe, babi. Nuk do të ndalem kurrë së menduari për ty. Pse jeta është kaq e padrejtë? Pse ti? Do të bëheshe gjysh dhe e kishe ende gjithë jetën përpara. Unë të dua! Ne Të duam ty! Nuk do të harrojmë kurrë”.

Plani eci më tej dhe familja organizoi fundjavën e kaluar një ceremoni funebre pranë Liezhit, e teksa miq e të afërm u mblodhën për të vajtuar për Baerten, ai bëri një hyrje madhështore me një ekip xhirimi, duke zbritur nga një helikopter.

Edhe pse një formë shakaje, historia e dhimbshme që krijoi Tik Tok-eri i njohur ka marrë mijëra reagime negative.

Baerten u detyrua të shpjegonte veprimet e tij duke sugjeruar se ai e bëri këtë për të parë se si do të reagonin të afërmit, pasi sipas tij thuajse i kishin shkëputur kontaktet dhe e kishin harruar.

“Ajo që shihja në familjen time shpesh më lëndonte. Nuk më ftonin kurrë në asgjë. Askush nuk më shihte. Të gjithë u ndamë dhe ndihesha i pavlerësuar. Kjo është arsyeja pse unë doja t’u jepja atyre një mësim jete dhe t’u tregoja se nuk duhet të prisni derisa dikush të vdesë për t’u takuar me ta”, u shpreh 45-vjeçari.

Baerten ende nuk e ka publikuar videon e plotë të mbërritjes së tij me helikopter, por një përdorues tjetër i TikTok, i cili po merrte pjesë në funeral ndau pamjet nga momenti ku ishin mbledhur miqtë dhe familja për t’i dhënë “lamtumirën e fundit”.

Shumë veta nxituan për të përshëndetur dhe përqafuar Baerten kur ai zbriti nga helikopteri.

Miku i tij i ngushtë Thomas Faut ndau një video të dy burrave duke u përqafuar pasi u ribashkuan, me një mbishkrim emocional në të.

“Të betohem se po qaja dhe më pas pash sërish shokun tim. Ne të duam shumë”, tha ai për ribashkimin emocional, pavarësisht mashtrimit të mikut të tij.

Shumë pranuan se ata vetë ishin mashtruar nga shakaja e hidhur e Baerten, por u qetësuan kur mësuan se ai ishte gjallë.

(Kosova Sot Online )