Kurti takon Sekretaren e Shtetit të Zvicrës, rikthekson kërkesën për lirim të menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer

  • E.k /
  • 16 June 2023 - 13:32
Kurti takon Sekretaren e Shtetit të Zvicrës, rikthekson kërkesën për lirim të menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Prespës, pati një takim me Livia Leu, Sekretaren e Shtetit të Federatës së Zvicrës, përcjell “Kosova Sot Online”.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, ata biseduan mbi raportin mes dy shteteve dhe situatën aktuale.

“Lidhur me situatën aktuale në vend, Kryeministri riktheksoi kërkesën për lirim të menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer, pasi ky veprim është një akt i agresionit të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, teksa përsëriti nevojën për deeskalim dhe normalizim të situatës. Në këtë drejtim, kryeministri Kurti nënvizoi propozimin e tij për deeskalim të situatës në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës, të paraqitur ditën e hënë dhe nevojën për zbatim të plotë, të shpejtë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”, thuhet në njoftim.

Kryeministri shprehu falënderimin e tij për përkrahjen e vazhdueshme të Zvicrës ndaj Kosovës, duke theksuar marrëdhëniet e shkëlqyeshme bilaterale ndërmjet dy vendeve.

(Kosova Sot Online)