Puka demanton me fakte Hasanin: Kam doktoruar në Romë, Enver Hasani ka gënjyer

  • S.A /
  • 21 June 2023 - 12:17
Puka demanton me fakte  Hasanin: Kam doktoruar në Romë, Enver Hasani ka gënjyer

Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, Avni Puka, i është kundërpërgjigjur Profesorit të së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare Enver Hasani, i cili e denoncoi se “ka mashtruar” kur ka njoftuar se ka kryer doktoratë në Itali në Universitetin “La Sapienza”, transmeton "Kosova Sot Online".

Në adresë të mesieve  Puka ka dërguar një diplomë që thotë se është e Doktoratës në Universitetin e Romës, që ka thënë se e ka mbrojtur publikisht me 21 shtator 2017.

Puka ka thënë se akuza e Hasanit “përbën shpifje të rëndë, përhapje të thashethemeve e gënjeshtrave në publik, vetëm me qëllim që të dëmtoj imazhin, reputacionin dhe autoritetin tim personal e profesional, dhe imazhin e institucionit, përkatësisht Fakultetit Juridik dhe vetë UP-së.”

Ai ka paralajmëruar se do t’i ndjek rrugët ligjore për këtë rast.

“I siguroj të gjithë kolegët, studentët dhe opinion me gjerë se të gjitha këto pretendime, shpifje, e përhapje të lajmeve të pavërteta, janë pjesë e trajtimit në procedura dhe mekanizma institucional, dhe deri në fund do të shfrytëzohet çdo mjet i lejueshëm ligjor. Me zbardhjen e të vërtetës, do të sqarohen edhe arsyet e motivet e sulmeve të tilla, kaq të ulta!

Për shkak të natyrës se këtyre çështjeve, dhe domosdoshmërisë që këto të trajtohen e konfirmohen nga mekanizmat institucional ligjor kompetentë, do të njoftohëni me kohë për vendimet e tyre, edhe nga ana ime.  Deri atëherë vetëm mund të ju siguroj, se asnjë formë e shantazhit publik nuk do të na zmbrapsë nga reformat dhe luftimi i dukurive negative në Fakultetin Juridik”, thuhet në reagimin e tij.

Image

Ndryshe, Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare Enver Hasani e ka denoncuar Avni Pukën, Dekanin e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, se ka mashtruar kur ka njoftuar se ka kryer doktoratë në Itali në Universitetin “La Sapienza”.

Në një letër që Hasani ia ka dërguar Qerim Qerimit Rektorit të UP’së “Hasan Prishtina”, ka thënë se autoritetet e Universitetit “La Sapienza” ia kanë konfirmuar se Avni Puka nuk ka kryer doktoratë në këtë institucion.

(Kosova Sot Online )