
Escobar: Unë e sfidoj këdo që më thotë se kemi qenë të ashpër me Kosovën dhe të butë me Serbinë

Gjithçka që kemi bërë në 90 ditët e fundit, në fakt në 15 vjetët e fundit, ka qenë në favor të Kosovës. Serbia nuk ka dashur ta njohim ne pavarësinë e saj, por ne e kemi bërë. Serbia nuk ka dashur që ne të bëjmë fushatë globale për njohjen e Kosovës, por ne e kemi bërë, edhe në këto 90 ditët e fundit. Serbia donte që ne t’i bëjmë presion Kosovës, që ta braktisë idenë e zgjedhjeve [në veri], por ne nuk e bëmë. Serbia donte që ne të themi se zgjedhjet do të ishin jolegjitime, për shkak të daljes së ulët, por ne nuk e bëmë”, ka deklaruar emisari amerikan, Gabriel Escobar në një intervistë për “Atlantic Council”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Kritikat për qasje jokorrekte ndaj Kosovës, kësaj radhe, nuk ishin vetëm nga mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje. Ato i ka thënë e rithënë vetë Kryeministri Kurti.
Escobar dje ishte i gatshëm të sfidonte këdo që thotë se SHBA-ja ishte e ashpër me Kosovën.
“Unë e sfidoj këdo që të më thotë se ku kemi qenë të ashpër me Kosovën dhe të butë me Serbinë. Ne e kemi shtyrë Serbinë që të lëvizë për çështjen e letërnjoftimeve, për barrikadat, edhe për Këshillin e Evropës”, ka thënë Escobar.
Kurti kishte probleme me administratën amerikane edhe gjatë mandatit të tij të parë si Kryeministër. Atë kohë, faji për raportet e krisura i vihej republikanëve dhe Presidentit kontrovers, Donald Trump e njeriut të tij, Richard Grenell. Lëvizja Vetëvendosje priste që zgjedhjet t’i fitonin demokratët. Kurti doli publikisht në pëkrahje të Joe Bidenit. Por, pas dy vjetësh me administratën Biden, përplasja duket se nuk ishte një incident. Raportet e Qeverisë Kurti me Qeverinë amerikane eskaluan.
Escobar thotë se ndaj Kosovës po kërkojnë bashkërendim dhe njohje të obligimeve të saj ndërkombëtare. Kjo, sipas tij, nuk i bie aspak se janë të ashpër me Kosovën, përkundrazi.
(Kosova Sot Online)