CNN zbulon audion e Trump për dokumentet e klasifikuara

  • A.P /
  • 27 June 2023 - 16:03
CNN zbulon audion e Trump për dokumentet e klasifikuara

Mund të konsiderohet një provë që mund t’i hapë shumë telashe në procesin ligjor. CNN ka publikuar një audio të ish-presidentit amerikan Donald Trump, ku diskuton me disa persona të tjerë për dokumentet e klasifikuara të Pentagonit, me informacione “top secret” për Iranin, transmeton gazeta “Kosova Sot Online” .

Materiali zanor prej dyminutësh, i regjistruar gjatë një takimi në Nju Xhersi në vitin 2021, konfirmon atë që Trump ka mohuar gjithmonë: keqmenaxhimin e informacioneve sekrete shtetërore dhe diskutimin e tyre me njerëz të tjerë, përfshirë anëtarë të stafit.

“Këto janë dokumentet”, dëgjohet të thotë ish-presidenti, ndërsa diskuton për plane sulmi të Pentagonit. Trump vijon duke thënë se “janë materiale shumë sekrete”, gjë e cila konfirmon se ishte në dijeni të nivelit të lartë të klasifikimit të dokumenteve që kishte marrë nga Shtëpia e Bardhë në fund të mandatit.

Anëtarja e stafit të tij ia kthen: “Hillary Clinton do të kishte firmosur gjithçka”. Trump përgjigjet duke thënë thjeshtë “Jo”, dhe më pas shpërthejnë të qeshurat, teksa ish-presidenti përfundon fjalinë: “Do t’ia kishte dërguar Anthony Weiner”, i cili është një ish-eksponent demokrat i Kongresit.

Të gjitha këto janë detaje që nuk janë përfshirë më gjyqin e nisur nga një gjykatë amerikane ndaj Trump. Ky i fundit po përballet me 37 akuza për mbajtje të paligjshme të dokumenteve të klasifikuara dhe pengim të përpjekjeve të qeverisë për t’i rikthyer ato. Por ish-presidenti ka mohuar vazhdimisht se ka shkelur ligjin dhe është vetëdeklaruar i pafajshëm.


(Kosova Sot Online)