Bashkimi Evropian pa konsensus për Kosovwn, Michel do konferencë, Rutte flet për proces hap pas hapi

  • S.A /
  • 04 July 2023 - 13:46
Bashkimi Evropian pa  konsensus për Kosovwn,  Michel do konferencë, Rutte flet për proces hap pas hapi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke parë vazhdimin e krizës në veri të Kosovës, ka dalë publikisht me idenë për organizimin e një konference të nivelit të lartë, ku liderët e Kosovës dhe Serbisë s’do të lejoheshin të dilnin pa e arritur një marrëveshje, transmeton "Kosova Sot Online ".

Ky propozim i kreut të Qeverisë shqiptare ka gjetur mbështetjen e kreut të Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel, por të enjten Kryeministri I Holandës në Prishtinë Mark Rutte tha se bisedimet duhet të udhëhiqen nga Josep Borell hap pas hapi edhe pse kjo mund të duket e mërzitshme.

Por, a e ka ngritur Presidenti I KE’së Charles Michel këtë temë në takimin e fundit para përfaqesuesve të shteteve anëtare, a e kanë përkrahur atë liderët evropianë dhe kur pritet të ketë hapa konkretë në jetësimin e një ideje të tillë.

Zëdhënësja e Këshillit, Magdalena Buchkovska nuk ka pasur një përgjigje, por ka referuar tek qëndrimi i fundit që kreu i Këshillit të BE, Charles Michel ka bërë rreth idesë së kryeministrit shqiptar, ku theksohet përkrahja e hapur e Michel dhe kërkesa e tij që sa më shpejt të organizohet në takim i tillë bashkë me disa shtete anëtare dhe në koordinim të ngushtë më SHBA-në.

Michel ka thënë se është koha për një qasje globale në procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe për të bërë hapa të qartë drejt normalizimit.

“Dua të jem shumë i qartë. Ne mbështesim plotësisht të gjitha përpjekjet e bëra së bashku me [këtë bashkëpunim të mirë me NATO-n] nga Përfaqësuesi i Lartë Borrell dhe dua të them se mbështesim gjithashtu idenë për të organizuar sa më shpejt një konferencë me disa vende anëtare të BE-së shumë aktive në me qëllim që të mbështesim të gjitha përpjekjet ndërmjetësuese në koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, sepse mendojmë se gjatë muajve të fundit kemi parë disa vështirësi që janë bërë arsye përshkallëzimi. Dhe mendoj se ka ardhur koha që të kemi një qasje globale. Ka ardhur koha për të bërë hapa të qartë në drejtim të normalizimit. Dhe është shumë e rëndësishme sepse ju e dini se nga ana e BE-së, ne do të dëshironim gjithashtu të bëjmë më të mirën për Ballkanin Perëndimor së bashku me Ballkanin Perëndimor”, është përgjigjur Charles Michel kur ka folur në Bruksel më 29 qershor 2023.

Megjithatë koment për idenë e kryeministrit Edi Rama s’kanë dhënë nga Gjermania, si një prej shteteve anëtare më të rëndësishme. Në një përgjigje të dhënë për Gazetën Express më 2 korrik, nga Berlini zyrtar kanë thënë se s’duan të komentojnë idenë e Ramës, dhe se për Veriun e Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm me faktorët e rëndësishëm.

“Kërkojmë nga ju mirëkuptim që ne nuk komentojmë propozimin e kryeministrit shqiptar. Krahas kësaj, së bashku me partnerët tanë evropianë dhe Përfaqësuesin Special të BE-së, Lajčák, jemi në shkëmbim të vazhdueshëm me të gjithë akterët relevant për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës“, ka thënë për Gazetën Express një zëdhënës i Qeverisë Gjermane.

Skeptik për idenë e Ramës është shprehur edhe analisti dhe profesori amerikan, Daniel Serëer. Ditë më parë. Ai ka thënë se s’njeh dikë që mund të detyrojë dy palët të bëjnë diçka të tillë. Gjithashtu Serwer ka shtuar se presidenti i Serbisë edhe ashtu ëhtë mësuar që t’i hedh marrëveshjet poshtë në momentin që del nga takimet.

Të martën, Kryeministri holandez pas takimit në Prishtinë me Kryemininstrin Albin Kurti ka thënë se procesi I bisedimeve duhet të ec hap pas hapi. Ai nuk ka përmendur konferencën, por ka thënë se dialogu duhet të udhëhiqet nga Borell dhe negociatorët tjerë.

“Aspekti kryesor duhet të udhëhiqet nga Borrell dhe nga negociatorët e tjerë dhe konsideroj që kjo është qenësore. Isha i lumtur kur në shkurt kur me pjesëmarrjen e Gjermanisë dhe Francës arritëm një marrëveshje bazë si të lëvizim përpara dhe ishim në Maqedoninë e Veriut kur u vendos për zbatimin e saj. Por, që nga atëherë tensionet janë ngritur ende dhe tash duhet të fokusohemi në çështjen e deeskalimit dhe të udhërrëfyesit të BE-së” ka theksuar kryeministri holandez.

Përsëri ai ka përmendur procesin hap pas hapi edhe pse mund të duket I mërzitshëm.

“Besoj që kjo është më e mira dhe ne duhet të kthehemi në proces. Në proces hap pas hapi, ndoshta duket i mërzitshëm, por pjesa më e mërzitshme është që ndoshta duhet të jemi… duhet të implementohet hap pas hapi dhe në mënyrë të përpiktë dhe të punojmë në mënyrë të drejtë. Çështja është se udhërrëfyesi europian duhet të merret nga të dyja palët. Jam optimist që mendjet e ftohta do të mbizotërojnë. E kam parë në Beograd dhe këtu se të gjithë duan deeskalim të situatës”, tha ai, 

(Kosova sot Online )