“Vajtimi i Vuçiqit”: Si raportuan mediat rajonale për fjalimin “dramatik” të presidentit serb?

  • S.A /
  • 07 July 2023 - 08:45
“Vajtimi i Vuçiqit”: Si raportuan mediat rajonale për fjalimin “dramatik” të presidentit serb?

“Fushata e persekutimit të serbëve nga Kosova dhe spastrimit etnik është në vazhdim. Mirë organizuar nga autoritetet në Prishtinë, por edhe përkrahur nga disa nga bashkësia ndërkombëtare”,  tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në konferencën  për media, transmeton "Kosova sot Online".

Mediat rajonale kanë raportuar edhe për një tjetër fjalim “dramatik” publik të presidentit serb.

“Slobodna Sarajevo” shkruan për “dramën e Vuçiqit” dhe shton se presidenti i Serbisë “me shumë gjasa do të marrë vendim për ndalimin e eksportit të armëve dhe municioneve”.

Vuçiq ka thënë, përcjell Oslobodjenje, se Serbia është në situatën më të vështirë për shkak të ngjarjeve aktuale në Kosovë. Ai thekson, shton Oslobodjenje, se Serbia nuk është fajtore për këtë situatë, por akuzoi autoritetet e Kosovës për “aksionin e zbatimit të spastrimit të heshtur etnik në Kosovë”.

“Ky aksion i persekutimit dhe spastrimit etnik i kryer nga regjimi i Prishtinës kundër popullit serb në Kosovë është i organizuar mirë, i planifikuar dhe i mbështetur në thelb nga qarqe të caktuara në bashkësinë ndërkombëtare, tha Vuçiq, transmeton Oslobodjenje.

Edhe portali i Sarajevës Klix shkruan se Vuçiq ka paralajmëruar ndalimin e eksportit të armëve dhe municioneve, si dhe se do të kërkojë takim me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg.

Klix shkruan se Vuçiq tha se Serbia bëri gjithçka që mundi për të de-përshkallëzuar situatën në Kosovë, por se në Kosovë po kryhet një “aksion i ndjekjes, persekutimit dhe spastrimit etnik” të serbëve, i cili është “mirë i organizuar dhe i mbështetur nga pjesë e komunitetit ndërkombëtar”.

“Hrvatski Index” shkruan se si “Vuçiq urdhëroi gazetarët të fiknin celularët e tyre”, duke cituar fjalët e tij: “Kam gjithë durimin e botës”.

“Ne kemi marrë pjesë në të gjitha bisedimet për 11 vjet dhe dua t’u them qytetarëve të Serbisë se sot vendi ynë është në situatën më të vështirë jo për fajin, përgjegjësinë dhe dëshirën e tij, por për shkak të aktiviteteve të përditshme të regjimit në Prishtinë dhe ata që heshtin dhe i shikojnë mirë këto veprime dhe në heshtje ndjekin pastrimin etnik të Kosovës”, tha Vuçiq, transmeton Index.

CDM malazeze raporton fjalët e Vuçiqit se “është duke u zhvilluar një sulm i përgjithshëm ndaj serbëve”, si dhe se presidenti serb do të kërkojë një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Mbyllni gojën EULEX-it dhe komunitetit ndërkombëtar. Nuk mund të hesht sepse nuk dua të marr pjesë në persekutimin e popullit tim”, tha Vuçiq, ndër të tjera raporton CDM.

(Kosova Sot Online )