Vuciq telefonat me Macroni, i kërkon t’i bëjë më shumë presion palës kosovare

  • S.A /
  • 08 July 2023 - 13:33
Vuciq telefonat  me Macroni, i kërkon  t’i bëjë më shumë presion palës kosovare

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, sot ka telefonuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq, për të biseduar për situatën aktuale, transmeton "Kosova sot Online".

Siç thotë Vuçiq, ai ka kërkuar nga Macron “që të bëjë një përpjekje shtesë që pala prishtinase të vijë në vete dhe të kthehet sa më shpejt në kornizën e bisedimeve konkrete”.

Vuçiq në Instagram ka thënë se me Macron ka pasë “si gjithmonë një bisedë të hapur” dhe se se i ka prezantuar “pasojat e zhvillimit të rrezikshëm të situatës në Kosovë”.

Ai madje gjatë bisedës me Macron pretendoi se serbët në Kosovë janë të ekspozuar ndaj dhunës.

“Dhuna tani e fshehtë e drejtuar kundër serbëve në Kosovë po largon gjithnjë e më qartë çdo mundësi për një bisedë të civilizuar dhe një qasje për zgjidhjen e çështjeve të hapura. Theksova se Serbia mbetet e përkushtuar për dialogun dhe ruajtjen e paqes, edhe pse komuniteti serb në Kosovë është i vetmi grup etnik në Europë që është i ekspozuar ndaj dhunës së vazhdueshme”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.

Gjithashtu, siç thotë ai, ka falënderuar presidentin Macron për gatishmërinë e tij për të dëgjuar Beogradin, si dhe për “vendosmërinë e tij për të bërë përpjekje shtesë për zgjidhjen e situatës jashtëzakonisht komplekse dhe mbi të gjitha të rrezikshme në Kosovë”.

(Kosova Sot Online )