Gërvalla në Forumin e Dubrovnikut: Kosova, shembulli më i mirë në rajon në luftën për sundim të ligjit

  • S.A /
  • 08 July 2023 - 15:09
Gërvalla në Forumin e Dubrovnikut: Kosova, shembulli më i mirë në rajon në luftën për sundim të ligjit

Gërvalla në Forumin e Dubrovnikut: Kosova, shembulli më i mirë në rajon në luftën për sundim të ligjit, transmeton "Kosova Sot Online".

Në Forumin e sotëm të Dubrovnikut nga Kosova është duke marrë pjesë kryediplomatja Donika Gërvalla.

Ajo mori pjesë në një panel të drejtuar nga Sekretari i Shtetit të Kroacisë, Zdenko Luçiq dhe foli për sukseset e Kosovës në luftën për sundim të ligjit.

“Ministrja Gërvalla fillimisht e falënderoi Ministrin Gordan Grlić Radman dhe OECD-në për ftesën, duke theksuar se Kosova me popullsinë më të re në Evropë është shembulli më i mirë në rajon për luftën e suksesshme  për sundimin e ligjit dhe besimin në drejtësi dhe qeverisje si bazë e domosdoshme për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit dhe ulje graduale të numrit të atyre që perspektivën e shohin në emigrim”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Gërvalla-Schwarz në këtë panel ishte bashkë me ministrin e Jashtëm të Bosnje e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, Nënsekretaren për çështje Zhvillimore dhe Ekonomike nga MPJ e Estonisë, Mariin Ratnik, si Ivana Živković – UNDP, Hrvoje Supić – Diaspora kroate dhe Soana Jaupllari – Profesoreshë e Tregtisë Ndërkombëtare dhe Migrimit nga Universiteti i Tiranës.

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kroacisë, Gordan Grlić Radman hapi Forumin duke vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit dhe takimeve të tilla, por edhe rëndësinë e veçantë të diasporës për zhvillimet në Kroaci dhe rajon.

Delegacioni i Kosovës, pjesë e të cilit janë edhe Zëvendësministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti dhe Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, mori pjesë edhe në darkën e shtruar nga kryeministri i Kroacisë Plenkoviq për nder të Forumit dhe pjesëmarrësve të tij.

(Kosova sot Online )