Pas tri seancave të mbyllura, gjykimi maratonik ndaj Enver Sekiraqës sot ishte i hapur për publikun

  • S.A /
  • 11 July 2023 - 12:03
Pas tri seancave të mbyllura, gjykimi maratonik ndaj Enver Sekiraqës sot ishte i hapur për publikun

Seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ndaj Enver Sekiraqës, i cili po akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, është hapur për publikun pas tri seancave të mbyllura. Në këtë seancë, u konsideruan të lexuara deklaratat e disa dëshmitarëve.

Në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues Agim Kuçi ka bërë të ditur se seanca është e hapur për publikun, raporton “Betimi për Drejtësi”, transmeton "Kosova Sot Online". 

Më pas, gjykatësi Kuçi ka njoftuar se prokuroja speciale Merita Bina-Rugova, me parashtresë i është drejtuar gjykatës, me njoftimin se pajtohet me propozimin e mbrojtëses së të akuzarit Sekiraqa, avokates Kosovare Kelmendi, që të lexohen deklaratat e disa dëshmitarëve, e se një njoftim i tillë i është dorëzuar edhe avokates Kelmendi.

Andaj, trupi gjykues konform nenit 307, par. 3 të Kodit të Procedurës Penale mori aktvendim, me të cilin u aprovua propozimi i avokates Kelmendi, që të lexohen deklaratat e dëshmitarëve të propozuar.

Më pas, u konsideruan si të lexuara deklaratat e dëshmitarëve Bujar Makiqi, Andres Hoferberg, Refik Bunjaku, Astrit Dibra, Fitim Avdiu, Jane Tonteri, Besarta Mexhuani, Dëshitari A., Abdyl Berisha, Safet Llugaliu, Fitim Gubetin, Naser Sekiraqa, Fjolla Morina, si dhe e dëshmitarëve Qenan Qerimi, Latif Lahu dhe Besnik Duriqi.

Ndërkaq, lidhur me vërejtjet në këto deklarata, prokurorja speciale Merita Bina-Rugova ka deklaruar se për shkak të efikasitetit të procedurës penale, vlerësimin e deklaratave dhe të të gjitha provave materiale dhe jomateriale, do të japin në fjalën përfundimtare.

Tutje, në seancën e së martës, gjykatësi Kuçi duke e ditur që prokurorja speciale lëndën e ka pranuar para 2-3 dite, e pyeti a do të jetë e gatshme që në shqyrtimin e sotëm gjyqësor të bëjë prezantimin e provave materiale, si dhe në pika të shkurta të bëjë elaborimin e secilës provë, si dhe të tregojë se çka vërtetohet me atë provë.

Për këtë, prokurorja Bina-Rugova deklaroi se i vjen keq, mirëpo duke marrë parasysh se rasti është vuliminoz dhe administrimi i provave duhet të bëhet në mënyrë shumë të kujdesshme, i nevojitet më shumë kohë në mënyrë që të bëjë administrimin e provave materiale dhe arsyetojë administrimin e secilës provë.

Andaj, e njëjta propozoi që kjo pjesë e procedurës të bëhet për një datë tjetër. 

Në anën tjetër, mbrojtja nuk e ka kundërshtuar propozimin e prokurores, për faktin se arsyet e paraqitura janë objektive, aq më tepër kur nevojitet arsyetim për secilën provë të propozuar.

Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre, kurse e radhës u caktua për 4 gusht 2023.

Në fund, trupi gjykues në përbërje nga gjykatësit Agim Kuçi, Ngadhnjim Arrni dhe Medie Bytyqi, refuzoi propozimin e mbrojtëses së të akuzuarit Sekiraqa, avokates Kelmendi, që t’i ndryshohet masa e sigurisë nga arrestit shtëpiak në masën e paraqitjes në stacion policor.

Kujtojmë se të mbyllura për publikun kanë qenë seanca e 2 majit, ajo e 15 majit, si dhe seanca e 6 korrikut 2023.

Ndryshe, edhe në seancën e 27 tetorit 2022, ishte mbyllur për publikun dëshmia e Adelina, Ema dhe Zanfina Ismailit, të cilat do të dërgjoheshin përmes video-lidhjes.

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur më 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Sëiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Sëiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim.

(Kosova Sot Online )