Kurti pret që me marrëveshjen për shtensionim, Kosovës t’i hiqen sanksionet

  • S.A /
  • 12 July 2023 - 12:33
Kurti pret që me marrëveshjen për shtensionim, Kosovës t’i hiqen sanksionet

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pret që marrëveshja që qeveria ka arritur me Bashkimin Evropian për hapat për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, të ndikojnë që Kosovës t’i hiqen sanksionet e që palët në dialog të jenë të barabarta, transmeton "Kosova Sot Online".

Pasi ka lexuar pikat e marrëveshjes, që parashohin zvogëlimin e pranisë policore të Kosovës në dhe rreth ndërtesave komunale në veri, vlerësimin e vazhdueshëm të gjendjes së sigurisë, mbështetjen për zgjedhjet e reja e takim të ri në dialog, Kurti ka kujtuar se është Serbia ajo që s’e ka pranuar që ka marrëveshje ligjërisht të obligueshme me Kosovën dhe se BE-ja i ka bërë të pabarabarta palët kur e ka sanksionuar Kosovën.

“Unë kam nënvizuar në vazhdimësi që për suksesin e marrëveshjes bazike së pari të dy palët duhet ta pranojë se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme. Së dyti, që marrëveshja duhet të zbatohet në plotni. Së treti, që zbatimi i marrëveshjes nuk mund të kushtëzohet. Së katërti, që të dyja palët duhet të kenë mundësinë që të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e bashkimit Evropian. Si përfundim, mendoj që dakordimi i Bratisllavës do të ndihmojë shumë në përforcimin e fokusit dhe vendosjen e barazisë midis palëve që ndihmon zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj”, ka thënë Kurti.

Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndaj Kosovës në fund të qershorit. Sanksionet përfshijnë suspendimin e përkohshëm të punës së komisioneve të përbashkëta në mes të BE-së dhe Kosovës, të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim- Asocimit, mosdërgimi i ftesave zyrtarëve të Kosovës për takime të nivelit të lartë, suspendimi i vizitave bilaterale, me përjashtim të atyre që kanë për qëllim fokusimin në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Do të pushohen njashtu edhe programet për Kosovën nga IPA 2024 dhe nuk janë dorëzuar para bordit për shqyrtim më 29 dhe 30 qershor propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor.

(Kosova Sot Online )