Rama: Imagjinojini si ndjehen aleatët dhe miqtë e Kosovës, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka komentuar rrahjen që ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës, përcjell “Kosova Sot Online”.
Kryeministri Rama shprehet se në Kuvend duhet të luftohet me ide e me fjalë dhe jo me sharje e me grushta.
Rama ka uruar që opozita të distancohet nga sjellja e tyre.
Postimi i plotë:
Të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp që sot i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë se sa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton kryeministrit! Imagjinojini si ndjehen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushta! Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës!
(Kosova Sot Online)
