Kurti mirëpriti në takim kreun e ri të KKSh-së

  • A.P /
  • 13 July 2023 - 19:16
Kurti mirëpriti në takim kreun e ri të KKSh-së

Kryetarin e ri të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiun bashkë me Alban Alilin nga ky Këshill, i shoqëruar nga Këshilltarja Politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Ardita Sinani, i mirëpriti në zyre kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, 
transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai fillimisht e uroi për detyrën e re. Kryeministri Kurti tha se është interesuar për bashkëpunim të afërt dhe ofroi ndihmën e tij. U shpreh i lumtur që z. Lutfiu i takon një brezi të ri në politikë, duke bartë kështu idealizmin nga një gjeneratë në tjetrën.

Z. Lutfiu falënderoi kryeministrin për mikpritjen në këtë takim dhe për urimin, teksa i dha mbështetjen e plotë kryeministrin Kurti për qëndrimet e tij.

Në takim, ata folën për shqetësimet e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, diskriminimin sistematik që i bëhet atyre nga Qeveria e Serbisë, sidomos në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, dhe për nevojat e të rinjve shqiptarë në këto komuna.

Kryeministri Kurti konfirmoi edhe një herë se mbështetja e Qeverisë së Kosovës për ta dhe Këshillin Kombëtar Shqiptar do të vazhdojë.


(Kosova Sot Online)