Policia e Kosovës arreston Faruk Mujkën Kryeshef i i “Ibër Lepencit” bashkë edhe Hysen Muzliukajn, Këshilltar i Ministrit Peci

  • S.A /
  • 14 July 2023 - 12:20
Policia e Kosovës arreston Faruk Mujkën Kryeshef i i “Ibër Lepencit” bashkë edhe Hysen Muzliukajn, Këshilltar i Ministrit Peci

Përveç Kryeshefit të “Ibër Lepencit”, Faruk Mujkës, sot është arrestuar edhe Hysen Muzilukaj, këshilltar i ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit, transmeton "Kosova Sot Online".

Muzilukaj në kohën kur dyshohet për korrupsion ka qenë drejtor në Kadastër dhe Gjeodezi në Mitrovicë.

Saktësisht, Mujka dhe Muziukaj dyshohen se në cilësi të personave zyrtarë, sa ishin pjesë e strukturave udhëheqëse në komunën e Mitrovicës së Jugut, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit.

Gjatë bastisjes në pronat e tyre, në njërin lokacion, Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka gjetur dhe sekuestruar 60 mijë euro.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me këtë rast njofton opinionin publik se në maj të vitit 2022 ka pranuar informacione, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga dy persona, në atë kohë pjesë e strukturave udhëheqëse në komunën e Mitrovicës së Jugut. Menjëherë pas pranimit të këtyre informacioneve PSRK ka autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim mbledhjen e provave.

Pas marrjes së informacionit në bazë të autorizimeve të PSRK-së, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, ndërsa me datë 03.07.2023, ka paraqitur Kallëzim Penal ndaj zyrtarëve me inicialet F.M. dhe H.M., me dyshimin se gjatë kohës sa ishin pjesë e udhëheqësisë në komunën e Mitrovicës së Jugut, gjatë vitit 2021, janë përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘’Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’’, e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online )