Ky është vendi i Bashkimit Evropian pa gra në kabinet

  • A.P /
  • 01 August 2023 - 16:32
Ky është vendi i Bashkimit Evropian pa gra në kabinet

Qeveria e Hungarisë është e vetmja në 27 vendet e Bashkimin Europian që ka një kabinet qeveritar vetëm me burra. Këtë javë nga qeveria dha dorëheqjen ministrja e Drejtësisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Hungaria këtë javë u bë i vetmi vend në Bashkimin Evropian pa një ministre femër. Kjo pasi Judit Varga dha dorëheqjen zyrtarisht të hënën në mbrëmje.

Varga, e cila njoftoi dorëheqjen e saj në fund të qershorit për të udhëhequr fushatën e partisë në pushtet Fidesz për zgjedhjet parlamentare të BE-së të qershorit 2024, ka shërbyer si ministre e drejtësisë që nga viti 2019.

Ajo do të zëvendësohet nga Bence Tuzson, që do të thotë se 14 postet ministrore të Hungarisë tani mbahen të gjitha nga burra.

Euroneës bëri një vëzhgim, të 27 qeverive të BE-së që nga 1 gushti dhe zbuloi se pak më shumë se 33% e posteve ministrore në të gjithë bashkimin mbahen nga gra.

Nëse përjashtojmë kryeministrat (nëse nuk janë kreu i shtetit), zëvendësministrat dhe sekretarët e shtetit, Finlanda ka numrin më të lartë me dy të tretat e femrave të kabinetit të ri të krahut të djathtë.

Pesë shtete të tjera anëtare kanë 50% ose më shumë gra në krye të ministrive. Këto janë Holanda, Spanja, Belgjika, Portugalia dhe Austria.

Megjithatë, së shpejti pritet të ndryshojë përbërja e qeverisë holandeze dhe spanjolle. Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen në Holandë në nëntor pas rënies muajin e kaluar të qeverisë së kryeministrit Mark Rutte. Ndërkohë, zgjedhjet jo përfundimtare në Spanjë në fund të korrikut pritet të çojnë në javë të tëra bllokimi politik pasi Partia Popullore (PP) e krahut të djathtë dhe Partia Socialiste në pushtet përpiqen të gjejnë partnerë koalicioni.

Vendet afër barazisë përfshijnë Suedinë, Gjermaninë dhe Francën.

Ndërkohë, Malta, Republika Çeke dhe Polonia kanë më pak se 15% të ministrave femra dhe për këtë arsye janë në fund të renditjes me Hungarinë.

(Kosova Sot Online)