Rasti tronditës i vrasjes së argjentinases në Kosovë mbush ballinat e mediave në Zvicër: “Ishin bashkë vetëm pak muaj”!

  • S.A /
  • 03 August 2023 - 10:33
Rasti tronditës i vrasjes së argjentinases në Kosovë mbush ballinat e mediave në Zvicër: “Ishin bashkë vetëm pak muaj”!

Rasti tronditës në Kosovë, ku një shtetase argjentinase dyshohet se u vra nga një kosovar që kishte ardhur për pushime, ka mbushur ballinat e mediave në Zvicër, transmeton "Kosova Sot Online".

Ato kanë raportuar intensivisht për rastin tragjik në Fushë Kosovë, ku një 27 vjeçarja dyshohet se u vra nga kosovari që kishte ardhur për pushime. Gjykata gjatë ditës së djeshme ia caktoi 32-vjeçarit nga Drenasi 30 ditë paraburgim duke e përmendur nën dyshimin e bazuar se ai e kishte hedhur nga kati i gjashtë i një hoteli argjentinasen.

Në lidhje me këtë ngjarje ka shkruar gazeta e njohur zvicerane “20 Minuten”  e cila shkruan se i dyshuari kishte udhëtuar drejt Kosovës së bashku me argjentinasin për dasmën e vëllait të tij.

Sipas këtij mediumi kosovari nga kantoni i Bernës ka udhëtuar drejt Kosovës së bashku me argjentinasin për dasmën e vëllait të tij dhe çifti ishin në lidhje qe katër muaj.

Ndërkohë sipas  portalit LeCanton27.ch, kosovari pas një debati e ka shtyrë argjentinasen nga dritarja në katin e gjashtë të hotelit.

Ndërkohë, Mediumi zviceran “Blick” shkruan se Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (EDA) konfirmoi arrestimin e shtetasit zviceran. Ambasada në Prishtinë është në kontakt me autoritetet përgjegjëse lokale. Për arsye të mbrojtjes së të dhënave dhe privatësisë, asnjë informacion i mëtejshëm nuk është i mundur.

“Sipas autoriteteve, nuk kishte informacione të mëtejshme për rrethanat dhe motivin as në Kosovë. Instituti i Mjekësisë Ligjore ka bërë këqyrjen e trupit të viktimës. Policia dhe prokuroria vijojnë hetimet. (SDA/zis)”, shkroi “Blick”.

Sipas Blick pas rastit tragjik, familja ka anuluar dasmën.

Si ndodhi rasti

Dyshohet se për shkak të një mosmarrëveshje kosovari E.N., nga komuna e Drenasit me shtetësi të Zvicrës e ka hedhur nga dritarja e dhomës së hotelit të katit të gjashtë në Fushë Kosovë shtetasen argjentinase M.K.U. Viktima 27-vjeçe ka pësuar lëndime trupore dhe përkundër trajtimit në QKUK e njëjta ka vdekur.

Këto detaje i ka dhënë dje Gjykata Themelore e Prishtinës në njoftimin dërguar mediave, në të cilin bëhet e ditur se ndaj E.N., është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji në drejtim të veprës penale “vrasje”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri E.N me datë 01.08.2023 rreth orës 01:59 minuta në rrugën “ Nënë Terezë” në Fushë Kosovë, pas një mosmarrveshje paraprake me të dëmtuarën – tani të ndjerën M.K.U, të njëjtën e privoj nga jeta duke e hudhur nga dritarja e dhomës së hotelit, nga kati gjashtë, me ç’rast e ndjera kishte pësuar lëndime trupore, e që edhe përkundër trajtimit mjekësor e njëjta kishte ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ( QKUK)”, njofton gjykata.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prshtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.N, i dyshuar për veprën penale Vrasje nga neni 172 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.N dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, njofton gjykata.

Në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit E.N dhe ka vlerësuar se është përmbushur kriteri nga neni nenit 184 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si kusht i veçantë për caktimin e paraburgimit.

“Nngase ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurit, pasi që i njëjti është shtetas i Zvicrës dhe nëse i pandehuri gjendet në liri i njëjti do të mund të ik me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale dhe do të ishte i paarritshëm për organet e ndjekjes, e në këtë mënyrë do të pengohej rrjedha e procedurës penale, andaj konstatoi së masa e paraburgimit në këtë fazë të procedurës penale është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje juridiko – penale”, u tha në njoftim.

(Kosova Sot Online )