Trump deklarohet i pafajshëm

  • A.P /
  • 04 August 2023 - 15:45
Trump deklarohet i pafajshëm

Ish-Presidenti Donald Trump, u deklarua i pafajshëm të enjten për katër akuzat penale për komplot për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Korrespondentja e Kongresit të Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, sjell më shumë hollësi nga zhvillimet në gjykatën federale.

I pafajshëm… kjo ishte deklarata e ish-Presidentit Donald Trump të enjten në një sallë gjyqi në Uashington, vetëm pak metra larg nga Kongresi që u sulmua më 6 janar të vitit 2021, nga përkrahës të ish presidentit, që përpiqeshin të përmbysnin rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.

Zoti Trump iu përgjigj akuzave të ngritura nga një juri e madhe, bazuar në një hetim të Departamentit të Drejtësisë, që pretendon se ai organizoi komplot kundër qeverisë, si dhe mori pjesë në komplot dhe pengoi procedurat zyrtare të certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Zoti Trump tha në një konferencë shtypi pas seancës gjyqësore se ai kishte të drejtën kushtetuese për lirinë e fjalës për të shprehur shqetësimet rreth zgjedhjeve.

“Ky është persekutim i një kundërshtari politik. Kjo nuk mendohej të ndodhte kurrë në Amerikë”, tha zoti Trump.

Por vetë nënpresidenti i tij – i cili mund të jetë një dëshmitar kyç në gjyqin e ardhshëm – nuk bie dakort me të.

“Dua që populli amerikan të dijë se unë nuk kisha të drejtë të përmbysja rezultatin e zgjedhjeve dhe se atë ditë, Presidenti Trump më kërkoi ta vendosja atë mbi Kushtetutën. Por unë zgjodha Kushtetutën”.

Zoti Trump, i cili kryeson listën e kandidatëve republikanë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, nuk është nën arrest dhe do t’i nënshtrohet një gjyqi në muajt e ardhshëm

“Jemi në një lloj territori të panjohur. Ai ka të drejtë të vazhdojë fushatën elektorale edhe pse nën akuzë, ai nuk është provuar fajtor për asgjë. Sapo është akuzuar për krime. Proceset gjyqësore ndaj tij nuk pritet të përfundojnë deri vitin e ardhshëm, ndoshta edhe pas zgjedhjeve”, thotë Elaine Kamarck, me “Institutin Brookings”.

Zoti Trump gjithashtu përballet me aktpadi penale në Nju Jork dhe Florida në lidhje me akuzat për mashtrim me fondet elektorale dhe mbajtje të paligjshme të dokumenteve sekrete.

“Aktpadia e djeshme, në një farë mënyre, është akuza më e rëndësishme, sepse me të vërtetë shkon në zemër të demokracisë sonë dhe mënyrës sesi numërojmë votat. Por nga nga ana tjetër, Trumpi do të argumentojë se ai besonte se kjo ishte e vërtetë, se besonte se i kishte fituar zgjedhjet dhe për rrjedhojë nuk po thurrte ndonjë komplot kundër Shtetet e Bashkuara”, thotë Cheryl Bader në universitetin “Fordham”.

Jashtë gjykatës të enjten, mbështetësit e ish-presidentit thanë se ata ende e mbështesin atë fuqishëm.

Unë jam këtu për të mbrojtur Donald Trumpin. Unë me të vërtetë besoj se ai po mbron njerëzit dhe në këmbim ne po tregojmë mbështetjen tonë për të me lirinë tonë të fjalës”, thotë Dan-i përkrahës i zotit Trump.

Por për shumë amerikanë të tjerë, vetëm qindra metra larg Kapitolit që u sulmua, akuzat janë një shenjë se zoti Trump po mbahet përgjegjës.

“Është shumë e rëndësishme që e gjithë kjo të dokumentohet zyrtarisht, me shkrim, në mënyrë që të mos ndodhë më në të ardhmen në vendin tonë”, thotë Patrick-u.

Data e gjyqit për akuzat e djeshme dnuk është caktuar ende.

Gjyqi në Florida për dokumenetet sekrete është caktuar për në maj të vitit të ardhshëm.


(Kosova Sot Online)