PDK dhe LDK deklarohen kundër iniciativës së qeverisë për largimin e kryetarëve të veriut

  • S.A /
  • 05 August 2023 - 12:21
PDK dhe LDK deklarohen kundër iniciativës së qeverisë për largimin e kryetarëve të veriut

Dy partitë më të mëdha opozitare kanë kundërshtuar iniciativën e Qeverisë së Kosovës që kryetarët e katër komunave të veriut të largohen përmes rrugës së peticionit, transmeton "Kosova Sot Online".

Zyrtarët LDK-së dhe PDK-së kanë bërë me dije se kjo rrugë është problematike për Kosovën.

Madje, deputetja LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka vlerësuar se udhëzimi administrativ që po synohet të nxirret nga qeveria për t`i hapur rrugë shkarkimit të kryetarëve mund të jetë jokushtetues.

“Neni 72, nuk jep autorizime shtesë për KQZ, e aq më pak për Qeverinë e Republikës së Kosovës, që të zgjeroj kompetencat e saj në përcaktimin e çfarëdo forme tjetër apo edhe në sqarimin e detajeve specifike me rastin e aplikimit të Nenit 72. Kjo, për arsye se i gjithë procesi i nismës së tillë ka të bëj me të drejtën dhe formën e votimit, dhe do të rrezikonte ndërhyrje në votën e lirë. Prandaj, pyetja eventuale apo forma e parashtrimit të pyetjes së nismës (apo raste tjera referendumit) nuk guxon të jetë kurrsesi çështje që rregullohet me udhëzim administrativ. Ekzekutivi nuk ka dhe nuk guxon të ketë asnjë autorizim për implementimin e dispozitave zgjedhore të ligjeve pozitive (të aplikueshme) sepse ato janë përcaktues të votës së lirë. Për më tepër, nuk mund të bëhen as rregullime që mund prodhojnë efekte retroaktive që prekin mandatet ekzistuese”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.

Ajo ka treguar se asnjë udhëzim administrativ nuk mund të përcaktoj pyetjen e peticionit.

“Sepse Neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale është plotësisht i qartë në atë që përcakton se qytetarët duhet të deklarohen PËR (e rrjedhimisht si alternativë KUNDËR) largimit të kryetarit. Këtu nuk ka asnjë hapësirë për diskutime lidhur me pyetjen. Çdo diskutim i tillë tejkalon autorizimet që rrjedhin nga Neni 72 dhe janë të palejueshme, sepse rregulli bazik i çdo udhëzimi administrativ është mos-tejkalimi i ligjit (me që udhëzimi është akt NËNligjor)”, ka shkruar ajo, duke treguar arsyet pse ky udhëzim mund të jetë kundërkushteteus.

“Prandaj, në rastin konkret, një udhëzim sikurse po flitet do të ishte jokushtetues dhe joligjor për dy arsye: E para, sepse nuk ekziston asnjë autorizim i tillë për Qeverinë apo KQZ në asnjë ligj që rregullon zgjedhjet; dhe E dyta, Qeveria (ekzekutivi) nuk mund ta normoj materien zgjedhore sepse këtë e bën Kuvendi përmes Kushtetutës dhe/ose ligjeve, dhe as të përcaktoj pyetjet e nismës që lidhet drejtpërdrejt me shprehjen e vullnetit të popullit”, ka vlerësuar ajo.

Sipas saj, me këtë udhëzim Qeveria do të bënte një gabim.

“Të jemi të qartë, pra, që në parim, çdo deklarim plebishitar mbi një çështje nënkupton formë të referendumit, por në rastin konkret, mundësia e heqjes së kryetarëve është paraparë me peticion qytetarë. Në secilin rast, nëse Qeveria apo KQZ dalin me një udhëzim të tillë, gjasat janë shumë të mëdha që ai do të jetë jokushtetues”, ka shkruar deputetja e LDK-së.

Më herët, edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e kishte vlerësuar si të gabuar rrugën e largimit të kryetarëve me peticion. Në një intervistë për gaztën Nacionale, ai kishte treguar për pasojat që mund të sjell kjo rrugë.

“Personalisht e konsideroj gabim që të kërkohet rruga e peticionit të 20 për qind të atyre që janë në listën e votuesve, e cila i hap rrugë referendumit që do të duhej të kalonte me mbi 50 për qind të votuesve për shkarkimin e kryetarëve. Kjo për dy arsyeje, e para që nuk ka bazë ligjor të qartë. Sepse Kosova kurrë nuk e ka miratuar ligjin për referendumin. Dhe e dyta, nuk besoj që ne duhet ta krijojmë një traditë politike ku komunitet e caktuar etnike në Kosovë i arrijnë qëllimet e tyre politike përmes referendumit”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka vlerësuar se mënyra më e mirë për hapjen e rrugës për zgjedhjet e reja është dorëheqja e kryetarëve.

“Sepse nëse sot ua mundëson që me i shkarku kryetarët e zgjedhur me referendum, nesër mundesh me pritë edhe një kërkesë tjetër përmes referendumit, e cila mund të jetë shumë më problematike politikisht. Është thjesht një tendencë e me i ik problemit përsëri. Nëse e di që duhet me i bë këto zgjedhje, atëherë e kemi opsionin e dorëheqjes. Por, ajo nuk mund të realizohet pa e pasur një qartësi se çka ndodh pas dorëheqjes”, ka thënë Krasniqi.

Iniciativa e qeverisë

Në fillim të javës, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka marrë një vendim për caktimin e një Grupi Punues që do të hartonte Udhëzimin Administrativ për caktimin e procedurave që përmes një iniciative do të largonte kryetarët e komunave në veri të vendit.

Ministria e ka marrë një veprim të tillë, pavarësisht që Bashkimi Evropian (BE) ka kërkuar haptas që preferon dorëheqjen e kryetarëve si një rrugë më të shpejtë drejt zgjedhjeve të reja.

Por, si duket pushteti ka marrë rrugën tjetër: atë që do të bënte largimin e kryetarëve përmes një iniciative qytetare.

Në dokumentin e nënshkruar nga ana e ministrit Elbert Krasniqi ky grup e ka zgjedhur kryesues z. Besim Myrtezani, ndërsa si anëtarë Xhevat Tavën, Fetije Begollin e Flurim Arifin.

Ky grup do ta ketë përgjegjësinë për “hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.”

Afati që i është dhënë është deri më 1 shtator.

Deri me tani Kosova ka ndërmarr hapat që BE-ja ia ka kërkuar për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

Dje nga objektet komunave në veri janë tërhequr edhe 25 për qind e policisë së Kosovës, ashtu siç është kërkuar me marrëveshjen e Bratisllavës.

(Kosova Sot Online )