Këshilltari i Besnik Bislimit: Shqipëria ka ulur vëmendjen ndaj Luginës së Preshevës

  • E.K /
  • 11 August 2023 - 08:06
Këshilltari i Besnik Bislimit: Shqipëria ka ulur vëmendjen ndaj Luginës së Preshevës

Ragmi Mustafa, këshilltar politik i zv.kryeministrit Besnik Bislimi, ka thënë shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë që prej procesit të dialogut të përmbushen edhe kërkesat e tyre, përcjell "Kosova Sot Online".

Mustafa ka shtuar se shqiptarët e Luginës nuk kanë hequr dorë nga aspirata e tyre politike.

“Për shkak të rrethanave gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor dhe në dialog, shihet mundësia si të avancohet pozita e shqiptarëve të Luginës. Shqiptarët e Luginës nuk kanë hequr dorë nga aspirata e tyre politike që është nga vitet 90, por jemi hap pas hapi që të realizohen minimumi i kërkesave të shqiptarëve të Luginës. Kjo ka të bëjë me ndërprerjen e diskriminimit sistemor e strukturor të Serbisë, dhe përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se Shqipëria e ka ulur interesimin për Luginën.

“Shqipëria do duhej të merrte model Qeverinë e Kosovës për angazhimin dhe përkushtimin në raport me Luginën e Preshevës. Kjo kërkon qasje strategjike për të ndihmuar për sfera të ndryshme shqiptarëve atje. Çfarë ka ndodhur në Qeverinë e Shqipërisë nuk e di, ka pasur një fazë të angazhimit sa ishin dy ministra kosovarë atje, por ka pasur ulje të vëmendjes së Shqipërisë sa i përket Luginës. Ka intensifikim dhe fokus të Kosovës për shqiptarët në Luginë”, ka përfunduar ai.

(Kosova Sot Online)