Gjuajtje me armë në drejtim të policëve të Kosovës në veri nga kontrabandistët

  • E.K /
  • 11 August 2023 - 13:49
Gjuajtje me armë në drejtim të policëve të Kosovës në veri nga kontrabandistët

Disa persona kanë gjuajtur me armë zjarri në drejtim të Policisë së Kosovës, sot në afërsi të Çeçevës, në Zubin Potok, përcjell "Kosova Sot Online".

Sipas Zëvendësdrejtorit Rajonal i Policisë së Mitrovicës, Veton Elshani, Policia ka hasur në tri vetura dhe një furgon që dyshoheshin se përdoreshin për kontrabandim të mallrave.

Elshani ka thënë se gjatë tentim ndalimit, ka pasur shkëmbim me armë zjarri, por ka shtuar se nuk ka të plagosur.

Ai ka bërë me dije se kanë arrestuar pesë persona, katër serbë dhe një shqiptar, dhe se një person tjetër është në kërkim.

Tutje, ai ka thënë se janë konfiskuar një furgon dhe tri vetura. 

“Sot në orët e hershme të mëngjesit në rrethinën e Komunës së Zubin Potokut, Policia ka hasur në një furgon dhe disa vetura të cilat besohej se kontrabandonin mallra. Gjatë tentimit për ndalim, ka pasur shkëmbim me armë zjarri, por nuk ka të plagosur. Pesë persona janë arrestuar, katër serbë dhe një shqiptar, dhe një është në kërkim, ndërsa janë konfiskuar një furgon dhe tri vetura. Brenda furgonit janë gjetur cigare të kontrabanduara. Rasti ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit”, ka thënë Elshani 

(Kosova Sot Online)