
VV e konfirmon rastin e arrestimit me drogë të asamblistit të saj, inicion procedurë disiplinore

Komisioni Disiplinor i Vetëvendosjes do të mbajë një mbledhje urgjente për rastin e asamblistit Besnik Mujeci, i cili bashkë me disa persona të tjerë dyshohet se u kap me ekstazi në Shqipëri, përcjell “Kosova Sot Online”.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, i cili tha se do të njoftojë për vendimin pasi të përfundojë kjo mbledhje.
“Me të marrë informacionin kemi iniciuar menjëherë procedurën disiplinore me ç’rast Komisioni Disiplinor i LV-së do të mbajë mbledhje urgjente për të trajtuar rastin në fjalë. Pas mbledhjes do t’ju njoftojmë mbi vendimin”, ka thënë ai.
Drejtoria e Policisë në Tiranë ka bërë të ditur se pas një aksioni policor të koduar “Punisher 2” ka arrestuar pesë persona, dy prej tyre shtetas të Kosovës.
Besnik Mujeci është zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe asamblist i kësaj partie në komunën e Prishtinës.
(Kosova Sot Online)