Në Rusi ngriten flamuj serbë dhe mesazhe si 'kur ushtria të kthehet në Kosovë'

  • A.P /
  • 20 August 2023 - 12:31
Në Rusi ngriten flamuj serbë dhe mesazhe si 'kur ushtria të kthehet në Kosovë'

Mesazhe me flamujt e Serbisë dhe Rusisë u shfaqën në ndërtesën e një prej shtëpive kryesore mediatike ruse, Rusia Sevodnja, dhe disa të tjera në qendër të Moskës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në flamuj është mbishkrimi “Rusët dhe serbët vëllezër përgjithmonë”, si dhe grafiti “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, raportojnë mediat serbe.

Përveç Moskës, këto mesazhe u shfaqën edhe në Shën Petersburg, Jekaterinburg dhe tre qytete të tjera.

Aksione të ngjashme u kryen edhe në fillim të vitit, në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kur në Moskë u organizua një protestë para Ambasadës së Serbisë.

Në atë kohë, protestuesit mbanin pankarta ku thuhej “NATO është vrasësi i botës sllave”, “Kosova është Serbi” dhe “Rusët dhe serbët janë vëllezër përgjithmonë”.


(Kosova Sot Online)