Ish-polici i akuzuar për ‘përdhunime të shumta’ dënohet me 16 vjet burg

  • A.P /
  • 22 August 2023 - 21:16
Ish-polici i akuzuar për ‘përdhunime të shumta’ dënohet me 16 vjet burg

Një ish-oficer policie që shërbeu në Policinë Metropolitane të Londrës (Met) është dënuar me 16 vjet burg për përdhunimin e një gruaje dhe një adoleshenteje, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Adam Provan, 44 vjeç, u dënua me 16 vjet burg për përdhunime të shumta gjatë tetë viteve që përfshinin një vajzë 16-vjeçare dhe gruan e një oficeri policie.

“Unë jam i sigurt se publiku do të jetë po aq i tronditur dhe i neveritur nga krimet e Provanit sa ne këtu,” tha Louisa Rolfe, zëvendëskomisionerja e Met, siç njihet zyrtarisht Policia Metropolitane.

“Ai shpërdoroi pozicionin e tij si oficer policie për të fituar besimin e të dyja këtyre grave. Veprimet e tij janë krejtësisht të neveritshme”, shtoi ai.

Të gjitha shkeljet u kryen ndërsa Provan ishte një oficer policie.

Forca më e madhe policore e Britanisë është nën presion për të bërë reforma të brendshme dhe për të adresuar shqetësimet e përhapura të publikut për sjelljen e oficerëve të saj.

Këtë vit, një raport i pavarur inspektimi tha se Met ishte institucionalisht racist dhe homofobik dhe i paaftë për të kontrolluar shërbimin e vet. Rishikimi u urdhërua në vitin 2021 nga shefi i atëhershëm i MET, Cressida Dick, pasi një oficer policie në shërbim u burgos me burgim të përjetshëm për përdhunimin dhe vrasjen e Sarah Everard, në një rast që tronditi vendin dhe tërhoqi vëmendje për funksionimin më të gjerë të kësaj force.

Zbulimi publik pas këtij rasti nxori në dritë shumë shembuj të tjerë të sjelljes kriminale dhe të papërshtatshme brenda radhëve të Korpusit.

(Kosova Sot Online)