Qeveria tregon detajet nga darka në Slloveni, Kurti kërkoi zbatimin e tri marrëveshjeve të arritura në Berlin

  • E.K /
  • 28 August 2023 - 09:21
Qeveria tregon detajet nga darka në Slloveni, Kurti kërkoi zbatimin e tri marrëveshjeve të arritura në Berlin

Zyra e Kryeministrit ka treguar detaj nga darka e mbrëmshme në Slloveni, e cila u shtrua nga kryeministri slloven Robert Golob në vigjilje të Forumit të Bledit që do të nis punimet sot, ku morri pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, përcjell “Kosova Sot Online”.

“Në qytetin e bukur të Bledit, në freskinë e bjeshkëve dhe pranë pamjes magjepsëse të Liqenit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në darkën e punës të ftuar nga Kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Robert Golob për liderë të rajonit dhe presidentin e Këshillit të Evropian, Charles Michel”, thuhet në njoftim.

“Kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar në Procesin e Berlinit ku veçoi atë për lirinë e lëvizjes. Më 1 janar 2024 të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian ndërkohë që do t’ju kërkohen viza për në Bosnje dhe Hercegovinë. Në këto 50 ditët e mbetura para Samitit në Tiranë, është e rëndësishme që të fillojë zbatimi i plotë i tri marrëveshjeve që kemi nënshkruar në Berlin”, thuhet mes tjerash në njoftimin nga ZKM.

ZKM shton se kryeministri mirëpriti thirrjet e Kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, për fokusim në zgjerimin e Bashkimit Evropian si dhe mundësitë për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nënvizoi respektimin e pakicave dhe njohjen reciproke si parakusht.

(Kosova Sot Online)