Pse pacientët nuk u trajtuan të barabartë për sigurime shëndetësore?

  • A.P /
  • 29 August 2023 - 21:34
Pse pacientët nuk u trajtuan të barabartë për sigurime shëndetësore?

Se nuk ka pasur trajtim të barabartë të pacientëve, ka identifikuar Zyra Kombëtare e Auditimit në bazë të hulumtimeve të fundit për punën e Fondit për Sigurime Shëndetësore, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Këto gjetje janë e raportit të auditimit të performancës “Efektiviteti i Programit për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore” për periudhën 2019-2022.

“Rezultatet e auditimit tregojnë se pacientët nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë që nga procesi i aplikimit e deri te aprovimi i kërkesave. FSSH-ja përdori praktika të ndryshme në vlerësimin dhe trajtimin e lëndëve që nga aplikimi i kritereve të ndryshme për rastet e njëjta e deri te shuma e aprovuar për trajtim”, thuhet në komunikatën për media.

Sipas raportit, aprovimi i lëndëve dhe pagesave është përcjellë me vonesa, obligimet financiare nuk ishin menaxhuar dhe raportuar në mënyrë të duhur si dhe Fondi nuk kishte bërë të gjitha barazimet financiare me institucionet shëndetësore në të cilat janë parapaguar shërbimet.

 “Pavarësisht se Programi është i destinuar të financojë trajtimin e pacientëve me diagnoza, sëmundjet e të cilave nuk trajtohen në Institucionet Shëndetësore Publike të Kosovës, Komisionet Konziliare në reparte të caktuara kishin referuar kërkesa për shërbimet që ofrohen brenda këtyre institucioneve me arsyetimet për mungesë të materialit, kushteve teknike dhe resurseve njerëzore. Për këto raste shuma e referuar dhe aprovuar nga mostrat e testuara ishte 844,779 euro”, thuhet tutje në njoftim.

(Kosova Sot Online)