Zbardhen detaje nga avokati i familjes së 35-vjeçares që vdiq duke e trajtuar dhëmbin në Malishevë

  • A.P /
  • 31 August 2023 - 19:43
Zbardhen detaje nga avokati i familjes së 35-vjeçares që vdiq duke e trajtuar dhëmbin në Malishevë

Avokati i familjes së 35-vjeçares që shkoi për ta hequr dhëmbin në Malishevë e iu komplikua gjendja ka treguar versionin e tij rreth këtij rasti, Meshar Selimaj, ka deklaruar se  është ende shumë herët të jepen detaje pa u parë raporti i autopsisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Nuk mund të them detaje, duhet pritur raporti i autopsisë, i cili do të rishikohet nga ana e IML-së, përveç faktit që e di se ka shkuar në atë klinikë dhe e ka marrë atë mjekim, rëndon dyshimi për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor. Momentalisht organet përgjegjëse janë duke e trajtuar rastin me korrektësi. Jemi në stadin fillestar, prokurorja e rastit po e bën punën e vet.Unë kam besim te prokurorja e rastit e cila e bart këtë lëndë, do ta shohim epilogun se si do të vazhdojë ky rast penal”, ka thënë Selimaj.

Ndër të tjera, ai ka thënë se pacientja ka shkuar rastësisht në atë klinikë, pasi djali i saj për ta marrë një infuzion dhe me atë rast pastaj ka hyrë ta mjekojë dhëmbin.

Në lidhje me deklaratat e mbrojtjes të të dyshuarve që thonë se mjeku ka kryer “protokollin shëndetësor”, ai ka thënë se “mendoj se janë pretendime të hershme nga ana e mbrojtjes, e kuptoj natyrën e tyre, në këtë moment duhet të rezervohemi”.

Sipas tij, ndonëse është herët të thuhet, “i pandehuri në këtë rast nuk ka ndërmarrë veprime të duhura, nuk i ka dhënë shërbimin e nevojshëm e cila do të kishte pasur si rrjedhojë shpëtimin e jetës së saj, me sa e kuptoj nuk i ka dhënë medikamentin e duhur anti-shok”.

(Kosova Sot Online)