ShBA: Ligjvënësit pritet të fillojnë diskutimet për buxhetin

  • A.P /
  • 05 September 2023 - 16:50
ShBA: Ligjvënësit pritet të fillojnë diskutimet për buxhetin

Kongresi duhet të veprojë shpejt për çështjen e buxhetit, duke marrë parasysh që fondet e qeverisë do të mbarojnë më 30 shtator. Përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje mes demokratëve dhe republikanëve për financimin e qeverisë pritet të zhvillohen në një kohë kur udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell dhe një nga udhëheqësit e republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësi Steve Scalise po ndeshen me probleme shëndetësore, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Presidenti Biden dhe ligjvënësit amerikanë, përfshirë Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy janë të përqëndruar në miratimin e një mase afatshkurtër, që do ta financonte qeverinë në të njëjtin nivel me buxhetin e tanishëm.

Por, zoti McCarthy po ndeshet me një rezistencë nga një numër ligjvënësish të partisë së tij republikane, përfshirë konservatorë të vijës së ashpër, të cilët kanë mbështetur në mënyrë të hapur idenë e mbylljes së pjesshme të qeverisë.

Propozimet konservatore të republikanëve mbi buxhetin pritet të hidhen poshtë nga Senati i kontrolluar nga demokratët. Kështu, që Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve mund të detyrohet të kërkojë mbështetjen e ligjvënësve demokratë për të miratuar një masë afatshkurtër për financimin e qeverisë.

(Kosova Sot Online)