Hoti: LDK ka qenë dhe do të mbetet shtëpi e madhe

  • A.P /
  • 09 May 2026 - 16:15
Hoti: LDK ka qenë dhe do të mbetet shtëpi e madhe

Anëtari i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar përmes një shkrimi në profilin e tij, kjo pasi ai nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së.

Hoti ka thënë se LDK ka qenë dhe do të mbetet shtëpi e madhe për secilin individ dhe se emrat shkojnë e vijnë.

“LDK ka qenë dhe do të mbetet më e madhe se secili individ. Emrat vijnë e shkojnë, por LDK mbetet shtëpia politike e brezave që besojnë në demokraci, shtetndërtim dhe orientim perëndimor. Asnjë individ nuk mund të jetë mbi LDK-në, sepse forca e saj buron nga struktura, anëtarësia dhe historia e saj e lavdishme”, ka shkruar Hoti.

Hoti ka shtuar tutje se sot më shumë se kurrë kërkohet mobilizim i plotë për ta ndalur degradimin institucional dhe mendësinë autoritare që po tentohet t’i imponohet Kosovës.

“Kosova nuk ka nevojë për pushtet absolut, propagandë dhe mentalitet komunist që e sheh shtetin si pronë partie. Ka nevojë për demokraci, partneritet me aleatët dhe rikthim të normalitetit politik.Prandaj, bashkë dhe me vendosmëri, do të angazhohemi për ta rikthyer Kosovën në rrugën e duhur dhe për ta rrëzuar këtë logjikë përçarëse e autokratike që përfaqëson kryeministri në ikje”, ka shkruar Hoti.

Reagimi i plotë:

Falënderoj Degën e LDK-së në Rahovec për besimin që edhe njëherë të jem kandidat për Deputet.

Ky vlerësim është përgjegjësi dhe obligim për të vazhduar rrugën politike me dinjitet, përkushtim dhe besnikëri ndaj  frymës rugoviane dhe vlerave të LDK-së.

LDK ka qenë dhe do të mbetet më e madhe se secili individ. Emrat vijnë e shkojnë, por LDK mbetet shtëpia politike e brezave që besojnë në demokraci, shtetndërtim dhe orientim perëndimor. Asnjë individ nuk mund të jetë mbi LDK-në, sepse forca e saj buron nga struktura, anëtarësia dhe historia e saj e lavdishme.

Sot më shumë se kurrë kërkohet mobilizim i plotë për ta ndalur degradimin institucional dhe mendësinë autoritare që po tentohet t’i imponohet Republikës sonë. Kosova nuk ka nevojë për pushtet absolut, propagandë dhe mentalitet komunist që e sheh shtetin si pronë partie. Ka nevojë për demokraci, partneritet me aleatët dhe rikthim të normalitetit politik.

Prandaj, bashkë dhe me vendosmëri, do të angazhohemi për ta rikthyer Kosovën në rrugën e duhur dhe për ta rrëzuar këtë logjikë përçarëse e autokratike që përfaqëson kryeministri në ikje.

(Kosova Sot Online)