Vjosa Osmani do ta ketë numrin 1 në listën e LDK-së

  • A.P /
  • 09 May 2026 - 15:45
Vjosa Osmani do ta ketë numrin 1 në listën e LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar marrëveshjen për garim të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit me ish-presidenten Vjosa Osmani, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Në një deklarim për gazetarët pas mbledhjes, kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, që do të jetë kandidati i kësaj partie për kryeministër me numrin 2, tha se kjo marrëveshje u dakordua unanimisht në parti.

“Në unanimitet të plotë LDK’ja nominoi propozimin dhe vendimin e Kryesisë përmes Këshillit të Përgjithshëm që në garën e ardhshme Vjosa Osmani të jetë kandidate për presidente dhe unë të jem kandidat për kryeministër dhe t’i kemi me vete gjithsej 110 kandidatë të LDK-së që propozohen nga degët e LDK’së dhe jo vetëm”.

Në këtë listë, Abdixhiku tha se do të përfshihen edhe 19 emra të tjerë të propozuar nga Osmani.

Osmani ishte ndër figurat kryesore të LDK’së para se të formonte partinë e saj, Lista Guxo, më 2020, një vit pas rrëzimit të Qeverisë Kurti I, që përplasi atë me strukturat e atëhershme të LDK-së.

Po ashtu, Osmani kishte qenë kandidate për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës në vitin 2019.

(Kosova Sot Online)